Me prezantimin e shfaqjes së Teatrit Kombëtar të Kosovës "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" është mbyllë edicioni i sivjetmë i Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe "Talia e flakës 2021".
Adhuruesit e artit skenik patën rastin që për pesë net me radhë të shohin pesë shfaqje të ndryshme që i sollën, nikoqiri, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri “Muharrem Qena” nga Mitrovica, Teatri “Adriana” nga Ferizaj, Teatri “Avdush Hasani”, nga Podujeva, si dhe "Teatri Kombëtar i Kosovës."
Juria Profesionale e Festivalit në përbërje: Alban Shahiqi, Shkëlzen Berisha dhe Albana Muja, kanë vlerësuar shfaqjet/prurjet e këtij festivali si në vijim:
Me çmimin kryesorë, "Shfaqja më e mirë e festivalit" është nderuar Shfaqja "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun", prodhim i TKK-së .
Juria vlerësuese ka vendosur edhe për çmimet tjera, si në vijim:
Skenografia më e mirë - Bekim Korça për dy shfaqje: "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" dhe "Makina e Dashurisë"
Çmimi "Prurje e re" i ka takuar regjisorit Besim Ugzmajli, për kompozim regjisorial në shfaqjen "Makina e dashurisë", produksion i Tetarit "Adriana" nga Ferizaj.
Aktorja më e mirë sipas vlerësimit të jurisë është shpallur Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen e natës finale "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" nga Teatri Kombëtar i Kosovës, ndërsa çmimi "Aktori më i mirë" i ka takuar Gani Rrahmani, për rolin e tij në shfaqjen e teatrit nikoqir, atij të Gjilanit, "Kosovo for dummies".
Çmimi "Regjia më e mirë" i është ndarë Erson Zymberit, për regjinë në shfaqjen fituese "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun", nga TKK-së.
Çmimi "Drama më e mirë" i është ndarë tekstit "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" nga shkrimtari Beqir Musliu, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Përndryshe, ndarja e çmimeve ka shënuar edhe fundin e edicionit të këtij viti të Festivalit të Dramës Shqipe "Talia e Flakës 2021", ndërsa rrjedha e Manifestimit do të vazhdojnë më 28 janar, kur mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës”, ndërsa në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e Konkursit Letrar në prozë e poezi, si dhe Festivali i Këngës Popullore “Fest Flaka 2021”, e cila këtë edicion nuk do të ketë karakter garues.