Monodrama "Dera" e regjisorit Naser Shatrolli, interpretoi aktori Drin Berisha; autorë të kostumeve dhe skenografisë Arife Veselaj dhe Agron Blakçori, muzika Ehad Dula.
Ndryshe nga librat e historisë që ofrojnë shifra dhe fakte, veprat artistke shprehin ndjenja, nga theksimi i fjalës më të thjeshtë e deri te shpërthimi emocional dhe katarsisi i afshit shpirtëror. Ky manifest ndodh në të gjitha artet, por teatri është më karakteristiku dhe më i veçanti, padyshim edhe më i vështiri, sepse është gjithmonë i përvetshëm, kurrë dy herë njësoj i përsëritur, por gjithmonë në funksion të njejtë: me shpreh dhe me bë të gjallë të padukshmen!
Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu shfaqja e monodramës "Dera", e dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrolli, i cili ka realizuar një demarsh letraro artistik, specifik për luftën dhe lirinë e bekueme, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës që është arritur me vuajtje e sakrifica të jashtëzakonshme: 14 mijë të vrarë, mbi 20 mijë femra të dhunuara, invalidë të përjetshëm, dhe qindra të zhdukur që nuk u dihen as se ku i kanë eshtrat..
Kjo është tema letrare e subjektit dramaturgjik të shfaqjes teatrore, që regjisori e shfrytëzon për ta zbërthyer ëndrrën e lirisë, më të zjarrtën dhembje krenare të shqiptarëve të Kosovës, që pas shekuj robërie kanë dalur në liri, prandaj kanë arsye ngazëllyeshëm të kremtojnë përvjetorët e ditës së çlirimit. Kjo ndodh me solemnitete të shumta masive, nëpër tubime përkujtimore ku deklamohen fjalime të flakta patriotike, që bujshëm përsëriten nga viti në vit e nga manifestimi në manifestim. Kjo e ngazëllen edhe kryepersonazhin, i cili nga dera e hapur shikon ritualin festiv, ku nga viti në vit ka në ballë pothuajse të njejtat fytyra të kasnecëve, me aureole të vizatuara mbi kokë, që me afsh flasin për luftën dhe sakrificën e të rënëve, ku e fusin edhe heroizmin e tyre personal, që del të ketë qenë më heroik se sa kontributi i të rënëve! Këtë kastë njerëzish kryepersonazhi i monodramës dhe i shfaqjes, i quan hipokritë, sepse të këtillët që shqirren duke treguar të bëmat e veta, janë profiterët e luftës, janë shkryrësit e sakrificës së dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, të cilët për fat të keq, pas luftës jetojnë të harruar dhe në varfëri të skajshme...
Pikërisht kjo është përmbajtja letrare dhe artistike e shfaqjes "Dera" të regjisorit Naser Shatrolli, i cili me një kurajë të spikatur artistike ka bërë rezonancës shpirtërore të bashkështetasve të vet, jo rastësisht, në jubileun e 20-vjetorit të çlirimit të vendit.Me një figurshmëri të fuqishme simbolike e fikson veprën me titullin "Dera" - nga e cila heroi troket dhe e çokat ndërgjegjen e të gjithëve, duke ua bërë të ditur se e kanë devijuar udhën e lirisë e të pavarësisë.
Për ta argumentuar përmasën e ankthit të arsyeshëm, autori sjell një personazh tipik, përfaqësues real dhe i plotëkuptimtë i shtresës së njerëzve të cënuar: të birin e një punëtori shënetësor, ish veprimtar idealist i paepur i çështjes kombëtare, para dhe gjatë luftës, por që gjatë luftës zhduket dhe fati i tij mbetet i pazbardhur edhe 20 vite pas luftës. Dhimbja për prindin është tepër e hidhur, jo vetëm se është zhdukur, por sepse ka të bëjë me dukurinë e shëmtuar të moskujdesit shtetëror e shoqëror, deri në nivelin e përbuzjes. Kjo përbuzje ka helmuar shpirtin e të riut, që ngreh zërin e protestës deri në urrejtje kundër kastës së njerëzve që keqveprojnë kundër popullit dhe vendit të vet.
Ndjenja traumatike e mbërthen ekstremisht djaloshin, i cili në kulmin e dëshpërimit i kritikon me urrejtje të gjithë, madje nuk pajtohet as me prindin e vet të zhdukur, flijimin e të cilit e quan të kot, sepse e konsideron fajtor që familja e tij jeton në mjerim të thellë. Shpërfillja e sakrificës së prindit është e rëndë, sepse, mashtruesit rrejshëm, në emër të meritave të luftës e rjepin atdheun e vet, duke shkelur rëndë dinjitetin e njerëzve të merituar që anashkalohen përbuzshëm.
Prandaj djaloshi i ngulfatur nga gjendja e rëndë, kërkon ta ushqej trurin, mendjen, venat, zemrën me adapter dhe bateria falso, dhe, në kulmin e dëshpërimit shanë me loçkë të zemrës hipokritët, lakenjtë, grabitësit, kurvarët, njerëzit e ligë, që janë fuqizuar nga paraja dhe kapja e shtetit dhe që, shkelin bashkatdhetarët e ndershëm, me gjakun e të cilëve është arritur liria! Kjo fabulë skenikisht është dhënë e plotë dhe decidive, përmes aktrimit të pastër fizik dhe foljor, që sintetizohen në lojën atraktive skenike, me një shumësi detajesh zinxhirore që ndërlidhen rrjedhshëm, shprehen pastër dhe komunikojnë shkëlqyeshëm me publikun, të cilin e pushton dhembja e heroit. Suksesi i shfaqjes është rezultat i regjisorit Naser Shatrollit, tashmë krijues që ka gravuar vulën e individualitetit artistik.
Mirëpo, shfaqja "Dera" ka pasur fatin ta gëzoj edhe shkathtësinë aktroriale të Drin Berishës, i cili me sukses të plotë e realizoi karakterin tepër kompleks të personazhit, që kushtëzohet nga thyerjet e shumta e të shpeshta, nga fijet e mëndafshta që duhet të transformohen në tela me xhemba, me kapërcime e thyerje emocionale delikate, me finesave të shumta kontrapunktore, shumë të vështira për interpretim nga një aktor fill i vetëm në skenën - si gojë e hapur ujku! Por, Drin Berisha qëndroi fuqiplotë dhe dinjitetshëm realizoi konceptin regjisorial duke shprehur me kreativitet talentin dhe potencën aktoriale.
Muzika nga Ehad Dula funksionoi mirë dhe ishte në funksion të shfaqjes, por me ndikim dhe rol shumë të madh ishin sidomos skenografia dhe kostumografia, të Arife Veselajt dhe Agron Blakçorit, të cilëve baraz meritueshëm u takon hisja e suksesit të shfaqjes, sepse, skenografia dhe kostumet i dhanë sharm artistik inskenimit, mirësi dhe bukuri funksionale aktit teatror. Kjo shfaqje tregoi se skena teatrore kosovare ka nevojë për kontura të reja, ripërtërirje artistike. Ky insistim në shfaqjet e Nasar Shatrolli po depërton hetyeshëm. Skënder Zogaj