Lidhja e artit teatror me njeriun dhe hyjin

Teatri

Lidhja e artit teatror me njeriun dhe hyjin

Nga: Skender Zogaj Më: 23 maj 2024 Në ora: 18:37
Pamje nga shfaqja

Naser Shatrolli është në hovin e tij më të mirë krijues, me vepra skenike që po e zgjojnë kërshërinë e publikut të gjerë, komunitetit artistik dhe të kritikës mediale, që po vlerësojnë punën e frytshme krijuese të Shatrollit, i cili me sukses po e sendërton profilin artistik si autor tekstesh dhe si regjisor.

Kemi parasysh vargun e shfaqjeve të Shatrollit: "Muhamed Ali" (2017); "Shkumësi" (2019); "Vagon" (2022); "Torba" (2023); "Dera"(2023); "Grafitet" (2024); dhe premiera më e re, "Lulet", në skenën e Teatrit Dodona të Prishtinës!

Të gjitha këto krijime e përbëjnë mozaikun e vlerave shumë mbresë lënëse, që tashmë paraqesin tendencën më të theksuar për ta evoluar formën dhe përmbajtjen e lojës skenike në teatrin e Kosovës.

Këtij synimi Naser Shatrolli po ia arrinë me sukses, sepse po dëshmohet hulumtues i ndjeshëm i Tempullit dhe i Muzës së Talias, me qëllim të fisnikërimit simbolizues të forcimit të lidhjen në mes të artit teatror, njeriut dhe hyjnive. Duke qenë shërbestar i teatrit, Shatrolli e ka hetuar rolin dhe rëndësinë specifike të poezisë bukolike për teatrin, prandaj bie në sy përpjekja e tij specifike për zgjedhjen e teksteve të llojit të veçantë, që kanë të bëjnë me dramën e konfliktit mbarë njerëzor për të zbuluar të panjohurën e supozuar e cila agresivisht qëndron si Shpata e Demokleut e lidhur me një fije floku mbi kokat tona.

Sipas këtij lloj kriteri janë përzgjedhur edhe motivet e dramës së Ragip Sylës nga e cila regjisori Shatrolli i nxjerrë dhe i sjellë në skenën e teatrit Dodona Adamin dhe Evën.

Autori para premierës ka sqaruar se: "Drama e Adamit dhe Evës përkon me metaforën e krizantemës, të hipokrizisë, të mallkimit, të degradimit të kultit të familjes, të thyerjeve dhe të përçarjeve të mëdha globale, të mbjellës së flokut të urrejtjes dhe të ëndrrës së mirë në vazon e euforisë!"

Dhe, këtë qëllim artistik e ka zotëruar suksesshëm, duke realizuar një lojë intriguese dhe të bukur teatrore, me interpretime të gjalla e të komplikuara emocionale dhe me përthyerje të shumta fizike, që ishin të zorshme për t'u aktruar, por Arbnora Ademi dhe Çlirim Shabani, i materializuan me zotërim të mirë karakeret e roleve. E veçanta e kësaj shfaqje është koha dhe personazhet mitike, që duhej të ishin ato të lashtësisë, ato të gjenezës fillestare, e njëkohësisht të ishin bashkëkohore dhe të ngjizura me aktualitetin që e pandehim për modern! Kjo ndodhi: Eva dhe Adami erdhën në Prishtinë, të dëbuar nga Kopshti i Edenit si mëkatar për kafshimin e mollës së ndaluar, dhe të dënuar për ballafaqime të rënda në jetën e tyre dhe të pasardhësve të tyre.

Evën me vazon e luleve nga Kopshti i Edenit dhe Adamin me kitarën e dhuruar, regjisori i vendosi në një teracë me shumë drita neoni,  dhe aty , gruaja e nxjerrun nga brinja e burrit, përpiqet të kuptoj: a është pjesë e trupit të burrit apo vetën hija e tij?

Drama është e ashpër që nga dita e parë e krijimit, realiteti është i çekujlibruar, drejtëpeshimi është mashtrim, egoja është e infektuar, e drejta dhe e vërteta të atakuara deri në brutalitet, njësoj si në lashtësinë mitologjike edhe në epokën moderne, me të njëjta dilema, halle, brenga, dëshira, ëndrra të ndrydhura dhe përpjekje për të zbuluar të panjohurën dhe për ta pushtuar asgjënë, si identitet i ri!

Regjisori Shatrolli ka realizuar një metaforë teatrore, me qasje moderne dhe zbërthim simbolik të historisë dhe shoqërisë njerëzore, mbi narrativën e marrëdhënies ndërmjet burrit dhe gruas, pa didaktizëm, por me pjesë nga jeta reale, me zënkat bashkëshortore, britmat, shqirrjet, debatet, me tensione për sfidat gjinore, brengosja për pasardhësit, kënga si vaj i burrit, kultivimi i luleve si pjellori dhe afshi... Të gjitha këto të shprehura me interpretim koherent dhe me mizanskenimin e kuruar profesionalisht, që e kurorëzuan me aktrim të ngjeshur aktorët e talentuar: Arbnora Ademi (Eva) dhe Çlirim Shabani  (Adami), të cilët i gravuan rolet e tyre, duke i riprodhur me skofiaritet teatror personazhet letrare!

Në suksesin e shfaqjes e kanë meritën edhe skenografia e Refki Gallopenit, kostumografia e Flutura Dedinjës, ndriçimi i Albert Gashit dhe muzika e Ar Veselaj dhe Granit Kallaba (Grafika).

Kjo shfaqje ofron një reflektim jetik mbi mënyrën se si individët dhe çiftet duhet të përpiqen të balancojnë dëshirat personale me përgjegjësitë e përbashkëta në një kontekst bashkëkohor.

Image
commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat