Kreu i kompanisë mëmë kineze të TikTok, ByteDance, ka njoftuar se ai po tërhiqet nga drejtimi i përditshëm i kompanisë për t’u përqendruar më shumë në strategjinë e saj afatgjatë.
TikTok, një aplikacion shumë i popullarizuar për ndarjen e videove, është platforma e parë globale e mediave sociale që vjen nga një vend tjetër përveç Shteteve të Bashkuara.
“E vërteta është, mua më mungojnë disa nga aftësitë që e bëjnë një menaxher ideal”, u shkruajti Zhang Yiming – i cili bashkë-themeloi kompaninë – të punësuarve në një letër të mërkurën, botuar në faqen e internetit të kompanisë.
Deri në fund të vitit, Zhang tha se do t’ia dorëzonte “frenat” bashkëthemeluesit tjetër Liang Rubo, i cili aktualisht është shef i personelit të kompanisë.
TikTok u gjend në një “përplasje” me ish-presidentin amerikan Donald Trump, i cili vendosi ndalime që synojnë të detyrojnë kompaninë të shesë biznesin e saj amerikan te firmat amerikane.
Trump shprehu shqetësime në atë kohë që të dhënat e qytetarëve të SHBA-së mund të bien në duart e autoriteteve kineze.
Zhang tha se dëshiron të gjejë kohë për të zhvilluar ide të reja të orientuara drejt së ardhmes për të ndihmuar në formimin e drejtimit strategjik të kompanisë.
“Shqetësohem se akoma jam duke u mbështetur shumë në idetë që kisha para fillimit të kompanisë dhe nuk e kam sfiduar veten duke azhurnuar ato koncepte”, shkroi ai.