Vendet e grupimit G7 kanë arritur një marrëveshje historike për të taksuar kompanitë shumëkombëshe.
Lajmin e bëri të ditur ministri britanik i Financave, Rishi Sunak. Sipas tij, homologët e mbledhur në Londër ranë dakord që korporatat e mëdha të taksohen në 15% të fitimeve të tyre.
“Gjigantët” e teknologjisë si Amazon dhe Google mund të jenë mes kompanive që do të preken nga kjo marrëveshje.
Qëllimi i saj është i japë fund garës mes vendeve, të cilat konkurrojnë për të tërhequr korporatat me nivele të ulëta taksash dhe përjashtime.
Lëvizja mund të bëjë që miliarda dollarë të kalojnë në buxhetet e qeverive, për të paguar borxhet e akumuluara gjatë pandemisë së COVID-19.
Propozimi do të vërë nën presion vende të tjera për të miratuar nismën, përfshirë ato të grupimit G20, që do të mblidhen muajin e ardhshëm.
Prej vitesh, shtetet e pasura janë përpjekur të vjelin më shumë të ardhura nga kompani të mëdha shumëkombëshe, të cilat shpesh regjistrojnë fitime në juridiksione ku paguajnë pak ose aspak taksa.