37 shtete të SHBA janë vënë në lëvizje për të ngritur padi ndaj Google për dyqanin online të kompanisë në sistemin Android, “Google Play”.
Në paditë e hartuara 37 shtetet pretendojnë se kompania e teknologjisë ka shfrytëzuar tiparin monopolistik në treg për të gjeneruar fitime të mëdha nga blerjet e kryera përmes Google Play.
Google akuzohet gjithashtu se ka eleminuar konkurrencën duke blerë menjëherë aplikacionet, apo kompanitë që vlerësonte si rivale potenciale për të ardhmen.
Kompania hodhi poshtë akuzat duke thënë se në dyqanin e saj online përdoruesit mund të zgjedhin të blejnë, apo jo një aplikacion dhe se gjithashtu aplikacionet mund të shkarkohen edhe drejtpërdrejtë nga faqet e internetit në formatin APK.
Mes shteteve që kanë ngritur padi janë Nju Jorku, Tenesi, Karolina e Veriut dhe Uashington D.C.
Paditë shënjestrojnë komisionet që Google u merr zhvilluesve të aplikakcioneve për çdo blerje të tyre nga Google Play. Këto komisione shkojnë deri në 30 për qind në disa raste, pothuajse njësoj sa Apple me App Store dhe Amazon dhe Microsoft Xbox.
Google raportoi 36.8 miliardë dollarë të ardhurave bruto vetëm nga Google Play për vitin 2020, ndërkohë që Apple e mban sekret këtë pjesë dhe Tim Cook i është shmangur pyetjes duke deklaruar se nuk ishte në dijeni të saj.
Google mbrohet duke thënë se 97 për qind e programuesve të aplikacioneve nuk paguajnë asnjë tarifë shërbimi, sepse thotë se brenda këtyre aplikacioneve nuk shesin produkte digjitale.
Megjithatë, autorët e padisë akuzojnë kompaninë për pandershmëri në treg.
“Google duhet të ndalojë së shfrytëzuari pozicionin monopol që ka në treg për të arkëtuar në mënyrë të paligjshme miliarda dollarë nga kompanitë e tjera, konkurrentët dhe konsumatorët”, tha kryeprokurori i Utah, Sean Reyes në një deklaratë.
Google i cilësoi si të çuditshme këto padi. “Jemi të vetëdijshëm se jemi nën vëzhgim të përhershëm dhe kemi vepruar gjithmonë sipas rregullave. Android dhe Google Play garantojnë liri dhe zgjedhje që në platformat e tjera nuk ofrohet”, tha kreu i politikave publike të Google, Wilson White.
Dyqanet e gjigantëve të teknologjisë po vihen nën vëzhgim nga autoritetet në vendet kryesore të botës. Në Britani në maj nisi një hetim ndaj Apple mbi politikat e saj të App Store, nddërsa Epic Games, kompania që qëndron pas lojës së famshme Fortnite ngriti një padi si ndaj Google, ashtu edhe ndaj Apple duke cituar rregullat e konkurrencës.