StarLink, projekti miliona dollarësh i Elon Musk për të çuar internetin në çdo skaj të globit “rrezikon” të mos ofrojë cilësinë e premtuar të shërbimit për shkak të një “armiku” të pamenduar.
Aktualisht projekti i mijëra satelitëve të hedhura në orbitën e poshtme nga ana e Musk është në fazën testuese. Inxhinierët e kompanisë kanë vënë re se megjithëse përdoret e njëjta teknologji, shpejtësia e shërbimit që mbërrin në tokë nuk është e njëllojtë.
Ata vunë re se shpejtësia nuk reduktohej e rikthehej e plotë në zona të ndryshme të testimit. Për të kuptuar shkakun vendosen të hetojnë se çfarë e pengonte dhe gjetën “fajtorin”; pëllumbat.
Qëndrimi i këtyre të fundit mbi pajisjet pritëse të sinjalit që dërgohet nga satelitët në orbitë mendohet se ishte shkaku i reduktimit të shpejtësisë.
Pëllumbat nuk kanë qenë problemi i vetëm, pasi këtë javë, një ndërprerje e madhe goditi rrjetin e Starlink në të gjithë botën. Shërbimi, që zyrtarisht është ende në fazë testuese nuk ka funksionuar për rreth 1 orë dhe kompania ende nuk ka shpjeguar se pse.