Super jahti i Jeff Bezos, i cili kap vlerën prej 500 milionë dollarë, është parë për herë të parë, ndërsa punimet për ndërtimin e tij vazhdojnë.
Jahti 127 metra i gjatë i njohur si Y721 u hodh në kantierin e anijeve Zwijndrecht në perëndim të Holandës në fillim të kësaj jave.
“Daily Mail” shkruan se ai do të jetë jahti më i madh me vela në botë dhe pritet që të përfundojë në vitin 2020. Kështu ky mjet lundrues kapërcen anijen më të madhe aktuale të pasagjerëve në oqean, Sea Cloud.

Jahti sekret i themeluesit të Amazon është aq masiv, sa ka nevojë për një “jaht mbështetës”. Kostoja prej 500 milionë dollarë nuk e përfshin jahtin shtesë.
Pronësia e Bezos mbi jahtin u konfirmua në librin “Amazon Unbound”, i cili e përshkroi atë si një “nga jahtet më të mira lundruese në ekzistencë”. Sipas “Daily Mail”, jahti i zi u tërhoq nga kantieri detar për në rrugën e tij për në Alblasserdam, ku do t’i jepen pajisjet e tij përfundimtare.
Ai po ndërtohet nga ndërtuesi i jahteve me porosi, "Oceanco” dhe mendohet se bazohet në anijen “Black Pearl” të kompanisë, një nga jahtet më të mëdhenj dhe më ekologjikë në botë.

“Black Pearl” është jahti më i madh me vela në botë, me tre shtylla karboni të larta 70 metra dhe është ndërtuar në vitin 2018. “Oceanco” nuk ka pranuar që të komentojë nëse jahti i ri është porosituar nga vetë zoti Bezos.
“Oceanco vlerëson privatësinë dhe konfidencialitetin e të gjithë klientëve tanë dhe klientëve të mundshëm, e për këtë arsye nuk komenton përfshirjen ose mospërfshirjen tonë në projekte specifike”, ka thënë një zëdhënës.
Nga ana tjetër, Bezos humbi vendin e tij si njeriu më i pasur në botë muajin e kaluar, nga rivali i teknologjisë kozmike, Elon Musk. Ai aktualisht ka një pasuri neto prej 197 miliardë dollarë.
