Një nga investitorët më të hershëm të Facebook ka etiketuar planet e gjigantit të mediave sociale për “Metaverse”, apo realiteti virtual si "distopike".
Meta, siç njihet tashmë Facebook, po investon miliarda dollarë në këtë projekt.
Por, Roger McNamee i tha BBC-së se "Metaverse është një ide e keqe dhe fakti që ne të gjithë jemi ulur dhe e shikojmë këtë sikur është normale duhet të na alarmojë të gjithë."
Shefi i produkteve të Meta-s, Chris Cox u tha të pranishmëve në Samitin e Uebit në Lisbonë se ideja do ta bënte "internetin më pak të sheshtë" dhe më të gjallëruar.
Ai tha se do të ishte një hapësirë për takime virtuale shumë më i mirë mirë se video-konferencat e sotme.
Megjithatë, duke folur në të njëjtin event, McNamee ishte shumë skeptik.
“Facebook nuk duhet lejuar të krijojë një metaverse distopik”, tha ai.
Termi metaverse u krijua në vitet 1990 në romanin fantastiko-shkencor “Snow Crash”, ku shërben si përshkrimi i realitetit virtual pas epokës së internetit.
McNamee u bë një kritik i Facebook-ut pasi filloi të shihte më shumë dezinformata në platformë. Ai tha se nuk ishte i bindur se metaverse do të ishte e sigurt në duart e Mark Zuckerberg.