Teknologjia ka ndryshuar jetën tonë. Të shumtë janë ata që mendojnë se kjo e ka lehtësuar shumë përditshmërinë tonë, por ka edhe të tjerë që kujtojnë me nostalgji kohët e kaluara dhe fajësojnë teknologjinë që largoi njerëzit nga njëri-tjetri. Mirëpo, komunikimi, falë aplikacioneve të ndryshme, tashmë është shumë më i shpejtë dhe më i lehtë.
Disa prej qytetarëve shprehën të kënaqur me zhvillimin e teknologjisë, ku thonë që jemi më afër njëri-tjetrit.
Ramazan Kellezi: Falë teknologjisë jemi më afër njëri-tjetrit
“Teknologjia është shumë e rëndësishme, jemi më afër njëri-tjetrit, takohemi me miq dhe unë sot jam këtu falë kësaj teknologjisë”, tha Ramazan Kellezi.
E një tjetër qytetar thotë që me avancimin e teknologjisë çdo gjë është më e lehtë.
Sabri Kryeziu: Teknologjia e ka afruar edhe botën
“E ka ndryshuar, lehtësuar e ka bërë më të afërm mes njerëzve komunikimin si me zë ashtu edhe me pamje vizuale, i ka ofruar kontinentet kështu që kjo ka qenë arritje e madhe”, u shpreh Sabri Kryeziu.
Ndërsa me zhvillimin e teknologjisë njerëzit mund të komunikojnë më lehtë e sidomos për ata që janë larg njëri-tjetrit.
Arber Vuthi: Teknologjia e ka lehtësuar jetën
“Teknologjia ka ndryshuar shumë gjana, për komunikim mos të flasim, nga aspekti familjar i ka ofruar njerëzit më shumë, p.sh. nëse dikush jeton në Amerikë nuk është më ajo ndjenja e mallit e njëjta siç ka qenë para shumë viteve, tash është me lehtë, por në përgjithësi çka do që marrim shembull, e ka lehtësuar jetën”, thotë Arber Vuthi.
Por një tjetër qytetar mendon të kundërtën, ku thotë që teknologjia ka larguar njerëzit dhe jo afruar, pasi që asgjë s’është e njëjte më si në kohët e kaluara.
Izet Zhuja: Me avancimin e teknologjisë një lloj ftohtësie ka hyrë në mes njerëzve
“Ka ndryshuar shumë mënyrën e komunikimit, nuk jemi më të njëjtit njerëz të kohëve të kaluara, ka ndryshuar marrëdhëniet në familje, shoqëri, ka ndryshuar komunikimin mes njerëzve, mes moshës e cila është pak me problematike. Me teknologji kanë përparuar edhe gjeneratat, ku kjo është shumë pozitive. Po sikur njeriu do mund të orientohej jo vetëm në teknologji por edhe në jetën familjare do të ishte shumë më mirë. Janë larguar njerëzit mes veti, gjeneratat, nuk është dashuria njëjtë siç ka qenë më herët. Disi një lloj ftohtësie ka hyrë në mes njerëzve”, tha Izet Zhuja.
Ndryshimi i teknologjisë duhet të përcillet, pasi që është mjaftë e rëndësishme, por me hapa të sigurte, e në formë të nevojshme për gjëra pozitive, largë keqpërdorimit.
Gazmend Dërvishi: Është mirë ta përdorim në mënyra të dobishme pa e keqpërdorur
“Zhvillimet e hovshme teknologjike që janë duke u bërë në globin në përgjithësi kanë ndikuar edhe në vendin tonë, kështu që ky ndryshim duhet të përcillet, duhet të shkohet hap pas hapi dhe përdorimi i teknologjisë na ofron më shumë me njëri-tjetrin, mirëpo këtë formë të teknologjisë mos ta keqpërdorim, e sidomos gjeneratat e reja, nxënësit nëpër shkolla, fëmijët në shtëpi, por edhe ne të rriturit ta përdorim për çështje studimi, hulumtimi, por jo edhe për ofendimet dhe bullizmet që po zhvillohen kohët e fundit. Është mirë të dimë si ta përdorim”, thotë Gazmend Dërvishi.
Ndërkaq një tjetër qytetare thotë që me anë të teknologjisë jemi bërë njerëz më individualistë, e sidomos në kohën e pandemisë teknologjia çdo gjë ka lehtësuar.
Ina Disha: Telefonojmë vetëm kur kemi ndonjë urgjencë
“Jemi bërë me individualist, shkruajmë vetëm mesazhe, përtojmë të flasim në telefon, flasim vetëm kur kemi ndonjë punë urgjente, kështu që patjetër që e ka ndryshuar mënyrën e komunikimit, sidomos këto dy vitet e fundit dhe COVID-i çdo gjë, jemi bërë më virtual. Komunikimi me Zoom, me Skype, ku edhe puna na është kthyer ashtu, jo vetëm përditshmëria”, tha Ina Disha.
Por një tjetër qytetar thotë që është mirë që ka ndryshuar, por që mbetet pak problem për të moshuarit që duhet të mësohen ta përdorin.
Ardian Kurhasani: Problemi qëndron vetëm tek të moshuarit që është më e vështirë të mësohen
“Shumë e ka ndryshuar, se me herët kanë qenë telefonat më ndryshe, tash janë të pajisur me internet, vetëm që tash duhet të mësohemi më tepër pasi që po është problem për më të moshuarit që nuk dinë ta përdorin teknologjinë”, thotë Ardian Kurhasani.