Google njoftoi se ka pushuar nga puna një inxhinier të lartë softuerësh, i cili tha se chatboti i inteligjencës artificiale (AI) i kompanisë LaMDA kishte ndjenja.
Muajin e kaluar, Blake Lemoine doli publikisht me teorinë e tij se teknologjia gjuhësore e Google ka ndjenja dhe prandaj duhet të respektohen "dëshirat" e saj.
Google, plus disa ekspertë të AI, mohuan pretendimet dhe të premten kompania konfirmoi se ai ishte shkarkuar. Google tha se inxhinieri Blake Lemoine kishte shkelur politikat e kompanisë dhe se pretendimet e tij mbi LaMDA ishin "krejtësisht të pabaza".
"Është për të ardhur keq që pavarësisht angazhimit të gjatë në këtë temë, Blake ende zgjodhi të shkelte vazhdimisht politikat e qarta të punësimit dhe të sigurisë së të dhënave që përfshijnë nevojën për të mbrojtur informacionin e produktit," tha një zëdhënës i Google në një email për Reuters.
Google dhe shumë shkencëtarë kryesorë shpejtuan t'i hedhin poshtë pikëpamjet e Lemoine si të gabuara, duke thënë se LaMDA është thjesht një algoritëm kompleks i krijuar për të gjeneruar gjuhë njerëzore bindëse.