Miliarderi Elon Musk tha të mërkurën se ai parashikon se do të emërojë shefin ekzekutiv të rrjetit Twitter brenda këtij viti.
Duke folur përmes një lidhje me video në takimin e organizatës “World Government Summit” në Dubai, zoti Musk tha se për të gjëja më e rëndësishme është që platforma të funksionojë.
“Duhet që ta stabilizoj kompaninë dhe thjesht të sigurohem se është në një situatë të shëndoshë financiare”, tha zoti Musk kur u pyet se kur do ta emëronte shefin ekzekutiv. “Mendoj se ndoshta nga fundi i këtij viti do të ishte koha e përshtatshme për të gjetur dikë tjetër që të drejtojë kompaninë”.
Por mbetet e paqartë se si do të respektohet ky afat. Komentet e tij erdhën vetëm pak orë pasi ai postoi në rrjetin Twitter imazhe të qenit të tij Floki, të rracës shiba inu, si shefi i ri i kompanisë Twitter.
“Shumë më mirë se tjetri”, shkruante zoti Musk, i cili poston shumë shpesh imazhe satirike (memes). Pas këtij postimi, vlera e kriptomonedhës Dogecoin e bazuar në imazhin satirik të qenit shiba inu, u rrit me rreth 5%. Në të kaluarën zoti Musk ka sugjeruar se rrjeti Twitter do të pranojë transaksione me monedhën dixhitale Dogecoin.
51-vjeçari Musk u pasurua fillimisht përmes faqes financiare PayPal dhe pastaj krijoi kompaninë hapësinore SpaceX dhe investoi në kompaninë e makinave elektrike Tesla.
Por kohët e fundit vëmendja është përqendruar tek kaosi që shoqëroi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të rrjetit Twitter.
Ndërkohë, përdorimi nga ushtria ukrainase e shërbimit satelitor të internetit nga kompania Starlink e zotit Musk, teksa mbrohet nga agresioni rus, e ka vënë atë në qendër të polemikave të luftës.
Zoti Musk hapi një diskutim të gjerë duke ngritur shqetësime mbi rrezikun që paraqet përdorimi i inteligjencës artificiale, atë që ai e sheh si kolaps i qytetërimit, apo rreth mundësisë së ekzistencës së alienëve.
Por pyetjet ishin të shumta lidhur me rrjetin Twitter ndërsa zoti Musk i cilësoi kompanitë Tesla dhe SpaceX si të afta të funksionojnë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të tij në operacionet e përditshme.
“Twitter-i është ende në faza fillestare dhe kërkohet punë për ta vënë rrjetin në një pozicion të qëndrueshëm dhe për të ndërtuar motorin e inxhinierisë programuese”.
Zoti Musk gjithashtu u përpoq ta portretizonte blerjen e rrjetit Twitter me seli në San Françisko, si një korrigjim kulturor.
Pasi mori kontrollin e Twitter-it miliarderi Musk riktheu qasjen e zotit Donald Trump në platformë. Rrjeti e kishte përjashtuar atë pas trazirave në Kongres më 6 janar të vitit 2021 nga një turmë mbështetësish të tij. Zoti Musk po ashtu riktheu qasjen e disa individëve që përhapën dezinformata rreth koronavirusit, përfshirë ligjvënësen republikane të Xhorxhias Marjorie Taylor Green.
“Unë mendoj se ideja e përgjithshme është që të pasqyrojë vlerat e njerëzve në krahasim me imponimin e vlerave të San Françiskos dhe Berkeley-t, të cilat janë disi një ideologji e veçantë në krahasim me pjesën tjetër të botës”, tha zoti Musk. “Twitter-i, mendoj, po vepronte pak si tepër për të imponuar atë ideologji”.
Blerja e rrjetit social Twitter u shoqërua me pushime masive nga puna dhe masa të tjera për uljen e kostos së kompanisë, në kushtet kur kjo blerje, i kushton zotit Musk vetëm në interesa, 1 miliard dollarë në vit./VOA