Apple Watch Ultra 2 do të ketë pjesë të printuara nga teknologjia 3D

Teknologji

Apple Watch Ultra 2 do të ketë pjesë të printuara nga teknologjia 3D

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 21:28
Foto ilustrim

Një raport i ri nga një analist i cili shpesh nxjerr informata të sakta të brendshme nga Apple, Ming-Chi Kuo është publikuar së fundmi.

Këtë herë, analisti konfirmon thashethemet e mëparshme duke thënë se Apple do të lëshojë një vazhdim të Apple Watch Ultra origjinal dhe do ta bëjë këtë më vonë këtë vit.

Kuo përmend vetëm se ora e re do të vijë diku në gjysmën e dytë të këtij viti, por është e arsyeshme që lansimi i saj ose do të ndodhë në shtator së bashku me serinë e re iPhone-ëve, ose ndoshta, edhe në një tjetër event në tetor, raporton GSM Arena.

Pavarësisht se kur do të prezantohet ora e mençur, ajo do të ketë veçori interesante: pjesë të printuara nga teknologjia 3D. Apple thuhet se do të përshtat edhe më tepër teknologjinë e printimit 3D, dhe se procesin në fjalë do ta përdorë për “disa nga pjesët mekanike të titanit” në Watch Ultra-n në ardhje.

Këto pjesë do të duhet ende të kalojnë nëpër disa procese CNC, por edhe kalimi i vetëm një pjese të prodhimit të disa komponentëve në printim 3D do të vazhdojë të shkurtojë kohën dhe kostot e prodhimit.

Kuo zbulon se Farsoon dhe BLT janë furnizuesit e printerëve 3D për Apple, përderisa IPG Photonics është furnizuesi ekskluziv i komponentëve të kërkuar lazerik.

Nëse futja e printimit 3D në prodhimin e Apple Watch Ultra funksionon mirë, atëherë kompania pritet të adoptojë teknikën edhe për më shumë produkte të saj në të ardhmen. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat