Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar me shumicë dërrmuese projektligjin i cili i jep TikTok-ut rreth gjashtë muaj kohë për t’u ndarë nga kompania mëmë, ByteDance, ose do të ndalohet në SHBA.
Ky hap thuhet të jetë “kërcënimi” më i madh për aplikacionin dhe krijuesit e përmbajtjes që arrijnë audiencë të gjerë dhe shpesh mbijetojnë nga të ardhurat nga aplikacioni.
Kështu po e konsideron edhe mësuesja “Ms. James” e cila ka hapur një llogari në TikTok me emrin iamthatenglishteacher për publikimin e ligjëratave për studentët e saj, shkruan Reuters.
“Brenda gjashtë muajve kam mbledhur një milion e gjysmë ndjekës”, tha James.
Tani ajo numëron 5.8 milionë të tillë, por sipas saj përmbajtja edukative që ajo dhe shumë të tjerë e publikojnë po përballet me kërcënim.
“Kur flisni për ndalimin, po flisni për largimin e videove edukative me cilësi të lartë nga njerëzit që i kanë përdorur ato për të përmirësuar arsimimin e tyre”, shtoi James.
Ndërsa mësimet e saj në TikTok përdoren nga studentë që variojnë nga shkolla fillore e deri në universitet, bëhet e ditur se shumica e ndjekësve të saj janë studentë të gjuhës angleze.
Megjithatë, me James nuk pajtohet profesoresha e Universitetit të Kalifornisë Jugore, Karen North, e cila ka paralajmëruar se të dhënat e saj personale janë në rrezik.
North është shprehur se përdorimi i të dhënave personale si fytyra dhe gjurmimi i vendndodhjes nga kompania kineze, tejkalojnë përfitimet tërheqëse të aplikacionit.