Shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna.
Televizioni britanik Sky News ka qenë për pak kohë jashtë transmetimit.
Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca - 911.
Në Australi, mediat, bankat dhe kompanitë kanë thënë se kanë hasur në probleme me internet, për të cilat Qeveria ka thënë se duket që lidhen me kompaninë globale për siguri kibernetike, Crowdstrike.
Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike dhe ka raportime që një përditësim në sistem ka shkuar keq.
Faqja Downdetector e kompanisë Crowdstrike ka gjetur probleme në qasje në shumë banka dhe kompani telekomunikimi.
Crowdstrike e ka lëshuar një mesazh të incizuar telefonik, me njoftimin se kompania është e vetëdijshme për raportimet e problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoftit.
Nuk ka informacione që sugjerojnë që kjo ndërpreje përbën incident të sigurisë kibernetike.