Platforma e njohur e rrjeteve sociale Instagram është bllokuar në Turqi, ka njoftuar Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë (BTK), pa dhënë asnjë arsye ose të dhëna për sa kohë do të jetë në fuqi ndalimi.
Qasja në aplikacionin celular të Instagramit është bllokuar gjithashtu.
Në faqen e BTK-së thuhet: “Instagram është bllokuar me vendim të Autoritetit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit me datë 02/08/2024 dhe me numër 490.05.01.2024.-608983”.
Bëhet e ditur se lëvizja vjen pasi shefi i Komunikimit i Turqisë, Fahrettin Altun, kritikoi Instagramin për gjoja bllokimin e postimeve ngushëlluese për vdekjen e Ismail Haniyeh – shefit politik të Hamasit i cili u vra në një sulm ajror në Teheran, Iran, shkruan euronews.
Hamasi fajësoi menjëherë Izraelin për sulmin dhe e shpalli Haniyeh një “martir”.
“Pavarësisht se sa palestinezë vret Izraeli, kauza e drejtë e Palestinës nuk do të fshihet nga historia”, tha Altun pas lajmit për vdekjen e Haniyeh.
“Shteti i Izraelit do të hyjë gjithashtu në histori si autor i vrasjeve pa gjyq, atentateve, pushtimit dhe gjenocidit”, shtoi ai.
“Unë dënoj fuqishëm edhe platformën e rrjeteve sociale Instagram, e cila i pengoi njerëzit të publikonin mesazhe ngushëllimi për martirizimin e Haniyeh pa asnjë justifikim”, vazhdoi Altun.
“Kjo është një përpjekje shumë e qartë për censurë”.