Kanë kaluar tashmë dy vjet, që kur OpenAI publikoi për herë të parë ChatGPT.
Dhe qindra debate, legjislacione, artikuj, tryeza të rrumbullakëta dhe miliona përdorues më vonë, inteligjenca artificiale (IA) ka filluar të forcohet së tepërmi në ekonominë tonë dhe në fuqinë punëtore globale.
Në raportin e tij të fundit mbi IA dhe efektin e saj në fuqinë punëtore, Universiteti DeVry ndau disa njohuri të rëndësishme mbi inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj në të ardhmen e punës.
Këto njohuri janë të nevojshme, që çdo profesionist të jetë i vetëdijshëm, pasi ato kanë potencial të fortë për të formuar këndvështrimin tuaj të punës në të ardhmen e afërt:
1. IA po ndryshon menaxhimin e rekrutimit dhe performancës
Punëdhënësit kanë filluar të identifikojnë raste më praktike të përdorimit të inteligjencës artificiale brenda vendit të punës, në lidhje me punësimin dhe menaxhimin e punonjësve të tyre.
Për shembull, rreth 44% e organizatave, po përdorin IA për të analizuar dhe ndjekur performancën e punës, thuhet në raport, ndërsa rreth një e treta e punëdhënësve përdorin IA, për të identifikuar mungesën e aftësive, për të rekomanduar zgjidhje dhe për të personalizuar komunikimet e brendshme për bashkëpunim më efikas.
Nëse punoni në rol drejtues, sigurisht që do të ndihmonte të mësoni, se si të përfshini IA në rrjedhën tuaj të punës dhe të organizatës, në mënyrë që të mund të optimizoni komunikimin dhe të përmirësoni menaxhimin e performancës tuaj.
2. Inteligjenca artificiale në fakt rrit tregun e punës
Vështrimi i dytë, i cili është mjaft tërheqës, zbulon se shumë punonjës dhe punëdhënës shprehin një ndjenjë të përgjithshme pozitive ndaj IA, në lidhje me sigurinë e punës.
Kur inteligjenca artificiale fillimisht u bë e njohur, me ardhjen e ChatGPT, një shqetësim kryesor, që u shpreh nga shumë ishte se do të zhdukte shumë vende pune.
Ajo që po shohim sot është se, megjithëse IA ka qenë pjesërisht përgjegjëse për pushimet nga puna në 2023 dhe 2024, ajo në fakt ka përfitime pozitive për fuqinë punëtore, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së pagave deri në 47% dhe krijimit të një kategorie pune krejtësisht të re.
Prandaj, nëse ndiheni të pasigurt për punën tuaj aktuale, për shkak të zhvillimeve të shpejta të IA, gjëja më e mirë që mund të bëni për të mposhtur këtë frikë, është të zhyteni në mundësitë e përmirësimit dhe rikualifikimit, veçanërisht brenda IA dhe teknologjisë.
3. Nevojitet trajnim për IA
“Mbi 80% e punëdhënësve raportojnë se e kuptojnë ,se çfarë mund të bëjë IA për organizatën e tyre,” ndan Universitetin DeVry për gjetjet e tij, ndërsa “75% e punëtorëve raportojnë se e kuptojnë se çfarë mund të bëjë IA për ta në punë. Megjithatë, pavarësisht nivelit të lartë të raportuar, 42% e punëdhënësve thonë se nuk janë të sigurt, se organizata e tyre e kupton se si t’i trajnojë në mënyrë efektive punëtorët për IA.”
Ky aspekt i zbatimit të IA mbetet një mister, të paktën tani për tani.
Por, derisa të zgjidhet ky problem, është e rëndësishme, të mësoni sa më shumë që të mundeni dhe të investoni në udhëtimin tuaj të përmirësimit të aftësive dhe njohurive rreth IA.
Kjo do të sigurojë, që ju të jeni në gjendje të shtoni më shumë vlerë në punë dhe të rrisni ndjeshëm potencialin tuaj.