Pas ndalimit, X “rikthehet” në Brazil - platforma del me deklaratë për gabimin

Teknologji

Pas ndalimit, X “rikthehet” në Brazil - platforma del me deklaratë për gabimin

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 10:21
Elon Musk

Disa përdorues të X në Brazil ishin edhe një herë në gjendje të hynin në platformën e rrjeteve sociale të mërkurën, pavarësisht një ndalimi të vendosur nga gjyqësori i vendit muajin e kaluar.

Por, rivendosja e platformës në Brazil ishte e paqëllimshme, ka njoftuar një zëdhënës i X në një deklaratë.

“Për të vazhduar ofrimin e shërbimeve optimale për përdoruesit tanë, ne ndryshuam ofruesit e rrjetit. Ky ndryshim rezultoi në një rivendosje të paqëllimshme dhe të përkohshme të shërbimit për përdoruesit brazilianë”, tha zëdhënësi.

“Ndërsa presim që platforma të jetë sërish e paarritshme në Brazil, ne vazhdojmë përpjekjet për të punuar me qeverinë braziliane për t’u kthyer shumë shpejt”, shtoi ai.

“Gjithçka që ndodhi gjatë ditës na bëri të besojmë se ishte me qëllim”, tha Basilio Rodriguez Perez, këshilltar i ABRINT, grupi kryesor tregtar i vendit për Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP).

ABRINT tha se X u zhvendos në serverët e pritur nga Cloudflare dhe se dukej se po përdorte protokolle dinamike të internetit (IP) që ndryshojnë vazhdimisht, duke i treguar atij se ndryshimi në qasjen për përdoruesit brazilianë ishte i qëllimshëm.

Në të kundërt, sistemi i mëparshëm ishte mbështetur në IP specifike që mund të bllokoheshin më lehtë, shkruan BBC.

Basilio Rodriguez Pérez, këshilltar i ABRINT, tha se ato IP dinamike mund të lidhen gjithashtu me shërbime kritike brenda Brazilit.

“Shumë prej këtyre IP-ve ndahen me shërbime të tjera legjitime, si bankat dhe platformat e mëdha të internetit, duke e bërë të pamundur bllokimin e një IP pa ndikuar në shërbime të tjera”.

Kjo përfshin shërbimin PIX, nga i cili varen miliona brazilianë për të bërë pagesa dixhitale.

Pavarësisht ndryshimit në server, disa ekspertë thanë se Cloudflare ishte i pozicionuar mirë për të ndihmuar Brazilin të përforconte ndalimin.

“Në fakt, mendoj se ndalimi do të ishte edhe më efektiv nëse Cloudflare vërtet bashkëpunon me qeverinë”, tha Felipe Autran, avokat kushtetues në Brasilia.

“Unë mendoj se do ta bëjnë, pasi ata janë një ofrues kaq i madh për shumë ndërmarrje braziliane dhe gjithashtu për qeverinë”.

Ndryshe, Brazili thuhet se është një nga tregjet më të mëdha për rrjetin social të Musk.

Platforma u ndalua në vend muajin e kaluar pasi nuk arriti të përmbushte një afat gjyqësor për të emëruar një përfaqësues të ri ligjor në vend. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat