Një drejtues i lartë i CrowdStrike ka kërkuar falje për shkaktimin e një ndërprerjeje globale të softuerit që ndaloi operacionet e spitaleve, aeroporteve, sistemeve të pagesave dhe kompjuterëve personalë në të gjithë botën në korrik.
Adam Meyers, nënkryetar i lartë për operacionet në CrowdStrike, ka dëshmuar para Kongresit.
Në dëshminë e tij, ai tha: “Unë jam këtu sot sepse, pak më shumë se dy muaj më parë, më 19 korrik, ne i zhgënjyem klientët tanë. Në emër të të gjithëve në CrowdStrike, dua të kërkoj falje”.
Bëhet e ditur se ndërprerja globale e softuerit, e cila vonoi fluturimet dhe procedurat mjekësore dhe bëri që kompjuterët në mbarë botën të shfaqnin “ekranin e kaltër të vdekjes”, fillimisht u mendua se ishte rezultat i një sulmi kibernetik të sofistikuar dhe keqdashës kundër Windows, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Shpjegimi aktual, megjithatë, vuri në dukje se Crowdstrike kishte publikuar një përditësim në softuerin e tij të sensorit Falcon, që synonte të zbulonte kërcënime të sigurisë kibernetike, të cilat rrëzuan afërsisht 8.5 milionë kompjuterë që përdornin Windows.
Meyers tha se kompania po merr përgjegjësinë e plotë për përplasjet: “Incidenti i 19 korrikut erdhi nga një ndërthurje faktorësh që përfundimisht rezultuan në përpjekjen e sensorit Falcon për të ndjekur një konfigurim të zbulimit të kërcënimit për të cilin nuk kishte një përcaktim përkatës se çfarë të bënte”.
Meyers tha se kompania ka zbatuar disa ndryshime që duhet të parandalojnë që një ndërprerje të ndodhë përsëri në këtë shkallë.
Për shembull, CrowdStrike nuk do të shpërndajë më përditësimet e softuerit të tij globalisht për të gjithë klientët në një seancë të vetme.
Kompania po lejon gjithashtu klientët të zgjedhin kur marrin përditësimet e tyre; ata mund të presin që të jenë në mesin e klientëve të raundit të dytë ose të tretë që marrin përditësimin.
Ata madje mund të zgjedhin të ndalojnë një përditësim, megjithëse kjo mund t’i bëjë ata më të prekshëm ndaj kërcënimeve kibernetike, paralajmëroi Meyers.
Ndryshe, produktet e CrowdStrike renditen ndër programet më të përdorura në botë për sigurinë kibernetike.