Funksioni ‘Community Notes’ ‘komente nga përdoruesit’ që rrjeti social X, pronë e miliarderit Elon Musk, përdor kundër dezinformatave “po dështon për të kundërshtuar pretendimet e rreme” rreth zgjedhjeve amerikane, njoftoi Qendra Kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH) përmes një raporti të publikuar të mërkurën.
Nga 283 publikime mashtruese në X që CCDH ka analizuar, në 209 prej tyre, ose 74%, jo të gjithë përdoruesit panë funksionin ‘Community Notes’ përmes së cilës korrigjoheshin pretendimet e rreme dhe mashtruese për zgjedhjet, thuhet në raport.
“Këto 209 publikime mashtruese, të përfshira në analizën tonë, që kanë 2.2 miliardë shikime, nuk shfaqnin shënimet tek funksioni ‘Community Notes’ për të gjithë përdoruesit”, thotë CCDH, duke i kërkuar kompanisë të investojë në sigurinë dhe transparencën e sistemit.
Zyrtarët e kompanisë X nuk iu përgjigjën kërkeses së agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ për koment.
Rrjeti social X vuri në përdorim funksionin e tij “Community Notes” vitin e kaluar, duke u krijuar mundësinë përdoruesve të komentojnë kundër publikimeve të rreme ose mashtruese, duke ia lënë këtë detyrë vetë përdoruesve dhe jo një ekipi të dedikuar që kontrollon publikimet.
Raporti u publikua pasi X humbi ndaj një padie të vitit të kaluar të CCDH-së që e fajëson rrjetin social për lejimin e gjuhës së urrejtjes.
Platformat e rrjeteve sociale, duke përfshirë edhe X, janë nën vëzhgim prej vitesh në lidhje me shpërndarjen e informacioneve të rreme dhe teorive të konspiracionit, duke përfshirë informacionet e rreme rreth zgjedhjeve dhe vaksinave.
Sekretarët e pesë shteteve amerikane i kërkuan miliarderit Musk në muajin gusht që të rregullojë platformën e rrjetit X që funksionon me Inteligjencë Artificiale ‘Chatbot’ pasi shpërndan informacione të rreme në lidhje me zgjedhjet e 5 nëntorit.
Edhe vetë zoti Musk, që i ka ofruar mbështetje kandidatit republikan për president Donald Trump në muajin korrik, është akuzuar për shpërndarjen e informacioneve të rreme. Sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale amerikane.