Bluesky, një platformë sociale alternative ndaj rrjetit X

Teknologji

Bluesky, një platformë sociale alternative ndaj rrjetit X

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 19:57
Foto ilustrim

Bluesky, një platformë e decentralizuar e mediave sociale, ka përjetuar kohët e fundit një rritje të konsiderueshme, duke tejkaluar 22 milionë përdorues. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Andrei Dziarkach, rritja i atribuohet përdoruesve që largohen nga platforma X për shkak të pakënaqësive me ndryshimet nën pronësinë e miliarderit Elon Musk.

Platforma e mediave sociale Bluesky u hap në vitin 2019 si një projekt eksperimental brenda rrjetit Twitter dhe drejtohej nga bashkëthemeluesi dhe ish- shefi ekzekutiv i tij, Jack Dorsey. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, platforma është bërë një alternativë popullore ndaj rrjetit X.

“Bluesky ka përjetuar një rritje masive të popullaritetit, sepse mendoj se sapo Donald Trump fitoi zgjedhjet në 2024, pati një ndjesi të përhapur që Twitter kishte marrë fund efektivisht, tani që Elon Musk do të ishte në thelb një anëtar i administratës së Donald Trumpit”, thotë Katherine Cross e Universitetit të Uashingtonit.

Në javën e parë pas zgjedhjeve, platforma pati afro një milion përdorues të rinj në ditë. Ritmi është ngadalësuar që nga zgjedhjet, megjithatë sipas të dhënave aktualisht Bluesky tërheq mbi 180 mijë përdorues në ditë.

"Në botën e sporteve profesionale, klubi i futbollit SV Werder Bremen ishte ndër të parët që la rrjetin X për Blueskyn, ku padyshim që nuk ka aq shumë ndjekës por ne si klub nuk mund të ngrihemi kundër diskriminimit, homofobisë, transfobisë, antisemitizmit, gjuhës së urrejtjes e kështu me radhë, dhe të vazhdojmë të përdorim platformën ku të gjitha këto dukuri përhapen me shpejtësi”, thotë Christoph Pieper, menaxher i klubit.

Edhe platforma të tjera të mediave sociale si Threads përjetuan një rritje të përdoruesve të rinj, por ajo që e bën Blueskyn të veçantë është mënyra se si u krijua.

"Bluesky nuk ka algoritëm dhe jep një gamë të gjerë zgjedhjesh se kë të ndjekësh dhe çfarë përmbajtje të shohësh", thotë Prof. Cross.

Zoti Pieper nuk është i sigurt nëse transferimi tek Bluesky do të jetë një sukses dhe klubi i tij është i hapur për alternativa të tjera. Por për një gjë është i sigurt: që nuk do të kthehen tek X.

"Ne kemi disa vlera dhe nëse jemi seriozë për to, duhet të marrim disa vendime. Ne jemi komodë me lëvizjen tonë”.

Pavarësisht largimeve, ekspertët thonë se kompania X ka një pozitë mbizotëruese në treg me mbi 300 milionë përdorues aktivë çdo muaj. Bluesky ka 22 milionë përdorues, një shifër modeste, por ajo po vazhdon të rritet.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat