Në më pak se një muaj, TikTok mund të ndalohet në Shtetet e Bashkuara – dhe fati i një ekonomie krijuese me vlerë miliarda dollarë është tashmë në rrezik.
Pse është e rëndësishme?
Industria globale e influencuesve vlerësohet rreth 250 miliardë dollarë, sipas Goldman Sachs. TikTok është qendra kryesore e fitimeve dhe vendi ku shumë influencues kanë ndërtuar hapësirat e tyre me ndjekësit më të shumtë dhe më besnikë.
Për shumë influencues, “kjo mund të jetë një ngjarje shkatërruese,” thotë James Nord, themelues dhe CEO i Fohr, një kompani marketingu për influencuesit.
Çfarë po ndodh?
Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet më 10 janar për të vendosur nëse ligji që kërkon shitjen e TikTok nga kompania e saj mëmë, ose përballjen me një ndalim, është kushtetues.
TikTok është në garë me kohën, pasi një ndalim i aplikacionit pritet të bëhet realitet më 19 janar.
Ligjvënësit kanë kërkuar që Google dhe Apple të jenë gati për ta hequr aplikacionin nga dyqanet e tyre virtuale në SHBA më 19 janar.
Përdoruesit që tashmë e kanë shkarkuar TikTok-un do të mund të vazhdojnë ta përdorin për ca kohë, por aplikacioni nuk do të përditësohet më, duke u bërë i papërdorshëm me kalimin e kohës.
Panorama e gjerë
TikTok ka një numër të jashtëzakonshëm prej 170 milionë përdoruesish në SHBA, ndërsa vetëm 32% e amerikanëve e mbështesin ndalimin e tij, sipas një sondazhi të Pew Research Center.
Megjithatë, ligjvënësit dhe ekspertët kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare për shkak të lidhjeve të TikTok me Kinën, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhin.
Fokusi te influencuesit
Disa influencues po përpiqen të paraprijnë ndalimin e TikTOk, duke i orientuar ndjekësit e tyre në Instagram ose YouTube.
“Nuk mendoj se kjo platformë ka jetëgjatësi në SHBA,” tha Chris Burkett, një influencues që jep këshilla për stilin e jetesës, me 1.3 milionë ndjekës në TikTok.
“Ka pasur shumë alarme të rreme… Gjithsesi, unë ekzistoj edhe në vende të tjera, kështu që nëse doni të mbeteni në kontakt,” tha Audrey Peters, një influencuese mode dhe bukurie me një milion ndjekës.
Por për shumë të tjerë dhe markat me të cilat bashkëpunojnë, biznesi vazhdon si zakonisht. “Gjërat janë duke ecur si gjithmonë. Kontratat janë ende në lëvizje,” thotë Nord.
Në një sondazh të tetorit nga Fohr, vetëm 1 në 3 influencues të industrisë së bukurisë thanë se ishin disi ose shumë të shqetësuar për ndalimin. “Kjo ndodh sepse është folur për këtë për kaq shumë vite dhe ende nuk ka ndodhur,” shtoi Nord.
Në disa kontrata, markat dhe influencuesit janë dakorduar të kalojnë në Instagram nëse TikTok ndalohet, por kjo është një zgjidhje jo perfekte.
Realiteti
Shumë influencues kanë ndjekës shumë më të paktë në Instagram ose YouTube krahasuar me TikTok.
Shumë prej tyre nuk kanë ndjekës të mjaftueshëm në këto platforma të tjera për të patur marrëveshje me marka ose për të fituar nga përmbajtja.
Fohr analizoi llogaritë e TikTok dhe Instagram të afro 23,000 krijuesve në rrjetin e tij dhe zbuloi se 39% e tyre kishin më shumë ndjekës në TikTok sesa në Instagram, me një diferencë mesatare prej +182,000 ndjekësish.
Çfarë ndodh më pas?
Nëse TikTok ndalohet dhe bëhet i pavlefshëm, influencuesit që mbështeten në të për të ardhura ndoshta nuk do të marrin ndihmë nga shteti.
“Kjo mund të jetë unike, pasi nuk e di nëse ka pasur ndonjë ligj që nga ndalimi i alkoolit që të mbyllë kaq shumë biznese të vogla brenda natës,” thotë Nord. “Dhe për momentin, qeveria nuk po ofron asnjë mbështetje.” / Axios – Bota.al