Platforma kineze, TikTok ka deklaruar se do të ndalojë nesër aktivitetin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse presidenti amerikan, Joe Biden nuk garanton se kompanitë si Apple dhe Google nuk do të përballen me masa ndëshkuese pas hyrjes në fuqi të ndalimit të TikTokut.
Deklarata u bë disa orë pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së miratoi ligjin që ndalon TikTokun në vend, duke cituar si arsye sigurinë kombëtare. Qeveria amerikane ka kërkuar nga kompania ByteDance të shesë TikTokun në SHBA.
Kjo platformë sociale numëron 170 milionë përdorues në SHBA, dhe presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump ka premtuar se do të shpëtojë këtë rrjet social.
Kompani si Apple, Google dhe të tjera në fushën e teknologjisë përballen me ndëshkime të rënda nëse TikTok mbetet i disponueshëm, raporton reuters.
Vitin e kaluar, një shumicë e konsiderueshme e kongresmenëve miratoi ligjin për ndalimin e TikTokut, por kohët e fundit, gjithnjë e më shumë prej tyre po mbështesin që platforma të mbetet e qasshme në SHBA. Gjykata e Lartë e vendit vendosi që ndalimi i saj nuk shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili garanton lirinë e fjalës.
Drejtori ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, planifikon të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit si president më 20 janar në Washington.
Trump deklaroi se ka zhvilluar një bisedë telefonike dje me presidentin kinez, Xi Jinping për TikTokun.