Kompania e sigurisë kibernetike e themeluar nga ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe partnerët e tij në Izrael tani ka një vlerë prej 1.1 miliard dollarësh.
Një startup i quajtur Dream ka marrë 100 milionë dollarë të tjerë në një raund të ri financimi, duke e bërë atë një kompani “unicorn”, që do të thotë startup me vlerë më shumë se një miliard dollarë.
Kjo është një arritje e madhe për kompaninë, e cila u themelua dy vjet më parë dhe e përshkruan veten si “një kompani e fokusuar në inteligjencën artificiale që ndihmon në mbrojtjen e qeverive dhe infrastrukturës kritike nga sulmet kibernetike”.
Dream njoftoi se ky raund financimi u drejtua nga Bain Capital Ventures dhe investitorët përfshijnë gjithashtu Group 11, Tru Arrow, Tau Capital dhe Aleph, shkruan euronews.
Dream deklaroi se që nga themelimi i saj, ajo ka gjeneruar më shumë se 130 milionë dollarë në shitje vjetore deri në vitin 2024 për qeveritë dhe organizatat kombëtare të sigurisë kibernetike.
Firma, të cilën Kurz e themeloi me Shalev Hulia, ish-CEO i kompanisë izraelite të spyware NSO Group, dhe eksperti i sigurisë kibernetike Gil Dolev, ka zyra në Tel Aviv, Vjenë dhe Abu Dhabi.
Kujtojmë se Kurz u bë një nga liderët më të rinj në botë kur mori postin e kancelarit të Austrisë në vitin 2017 në moshën vetëm 31-vjeçare.
Ai u rrëzua nga pushteti në vitin 2021 dhe vitin e kaluar një gjykatë në Vjenë e dënoi atë për dëshmi të rreme, duke i dhënë një dënim me kusht prej tetë muajsh burg.