Edhe pse Microsoft ka hequr mbështetjen për Windows 7 prej kohësh, ende ka nga ata që nuk e kanë harruar këtë sistem operativ dikur shumë të popullarizuar.
Shumica e shfletuesve kryesorë të internetit nuk ofrojnë më mbështetje për Windows 7, 8 dhe 8.1, por një shfletues refuzon të heqë dorë nga këto versione të pa përkrahura të Windows-it.
Mozilla ende ofron përditësime të sigurisë për Firefox 115 ESR në versionet e pa përkrahura të Windows-it dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk ka ndërmend të ndalojë këtë praktikë së shpejti.
Në fillim të vitit 2023, Mozilla kishte njoftuar planin për t’i dhënë fund mbështetjes për Windows 7 gjatë shtatorit 2024. Megjithatë, kur erdhi ai moment, Mozilla vendosi të vazhdojë mbështetjen për Firefox 115 ESR edhe për gjashtë muaj të tjerë, duke argumentuar se ka ende një numër të mjaftueshëm përdoruesish të Firefox-it në Windows 7 për ta justifikuar këtë zgjerim.
Tani, Firefox do të marrë edhe gjashtë muaj shtesë përditësimesh sigurie për Windows 7, 8 dhe 8.1. Sipas kalendarit zyrtar të përditësimeve, mbështetja për ESR 115 do të zgjasë për Windows 7-8.1 dhe macOS 10.12-10.14 deri në shtator 2025.
Megjithatë, përditësimet mund të vazhdojnë edhe pas kësaj periudhe, pasi Mozilla ka deklaruar se do ta rishikojë vendimin sërish në gusht të këtij viti.
Këto ndryshime prekin vetëm Windows 7, Windows 8, Windows 8.1, si dhe macOS 10.12, 10.13 dhe 10.14. Përdoruesit e Firefox-it me sisteme operative më të reja dhe ende të përkrahura përdorin versione më të fundit të shfletuesit.
Aktualisht, Mozilla ofron versionin 135 për Release Channel si dhe versionin 128 për Extended Support Release Channel. Firefox ESR mund të shkarkohet nga faqja zyrtare.