Firma e kriptomonedhës Bybit tha se hakerët vodhën 1.5 miliardë dollarë monedhë dixhitale në atë që mund të ishte vjedhja më e madhe e kriptove në histori.
Themeluesi i kompanisë me bazë në Dubai u tha përdoruesve se fondet e tyre ishin "të sigurta" dhe se do të rimbursonte cilindo nga të prekurit.
Ai tha se hakerët vodhën nga portofoli i saj dixhital i monedhës Ethereum. Ethereum është kriptomonedha e dytë më e madhe për nga vlera pas Bitcoin, raporton BBC.
Themeluesi i Bybit, Ben Zhou tha se paratë mund të mbuloheshin nga firma ose nga një hua nga partnerët. Bybit mban 20 miliardë dollarë në asete.
Bybit tha se hakerët kanë shfrytëzuar veçoritë e sigurisë dhe më pas i kanë transferuar paratë në një adresë të paidentifikuar.
Pas vjedhjes, vlera e Ethereum ra me rreth 4% të premten, duke e lënë atë me vlerë 2,641,41 dollarë për monedhë.
Shkalla e vjedhjes do të tejkalonte një rekord të mëparshëm, i cili ishte një grabitje prej 620 milion dollarësh e Ethereum dhe monedhës USD nga Ronin Network në 2022.
Bybit u themelua në vitin 2018. Presidenti i SHBA Donald Trump dhe ish-shefi i Paypal Peter Thiel raportohet se ishin ndër investitorët e saj të hershëm.
Bybit thotë se ka më shumë se 60 milionë përdorues në mbarë botën dhe ofron akses në kriptovaluta të ndryshme.
Kompania tha në një postim në X se kishte raportuar rastin tek autoritetet dhe se po punonte "shpejt dhe gjerësisht" për të identifikuar hakerët.
Së fundmi, Donald Trump është kritikuar për lansimin e monedhës së tij dixhitale, ndërsa thotë se "nuk di shumë" për kriptomonedhën.
Monedha dixhitale e quajtur TRUMP u shfaq në llogaritë e tij në mediat sociale përpara inaugurimit të tij dhe shpejt u bë një nga monedhat kripto më të vlefshme, por që atëherë ka rënë ndjeshëm në vlerë.