Për gati një vit, legjenda e tenisit Andre Agassi ishte trajneri i tenistit serb Novak Gjokoviq.
Një bashkëpunim që në fakt nuk funksionoi si duhet, me serbin që thuajse nuk fitoi asgjë dhe që në atë periudhë (2017-2018) kishte edhe disa probleme fizike, që ndikuan në karrierën e tij.
Për pasojë, kjo marrëdhënie u mbyll, shumë shpejt. Duke folur për këtë divorc, Agassi kujton: “U ndamë pasi nuk po arrija ta ndihmoja ashtu si duhet. Unë doja ta ndihmoja, por në një moment më dukej sikur po pengoja rritjen e tij apo ndërhyja në punët e tij”.
“Për pasojë, vendosa të largohesha, pasi kjo ishte më e mira për të dy. Nuk jam nga ata persona që them se ti ke të drejtë nëse nuk arrij të jem dakord me vendimet e tua.
Pashë që në shumë raste unë dhe Novak kishim ide të ndryshme për shumë çështje dhe kjo gjë nuk krijonte një marrëdhënie të mirë mes një trajneri e lojtari”, tha Agassi.