Novak Gjokoviq është fotografuar përkrah ish-komandantit të njësisë famëkeqe paramilitare dhe kriminale të Serbisë “Ujqit nga Drina”, e cila është përgjegjëse për kryerje të gjenocidit kundër myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.
Fotografi të publikuara në rrjetet sociale të dielën e shfaqin tenistin Gjokoviq ulur në një tavolinë pranë Milan Joloviqit, ish-komandantit me nofkën “Legjenda”.
Në Serbi Joloviq nderohet si shpëtimtari i jetës së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, gjatë luftës në Bosnjë në fillim të viteve 1990.
Gjokoviqi, babai i të cilit u lind në Zveçan, njihet si mohues i krimeve serbe në Bosnjë dhe Kosovë dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.
Në vitin 2017, Gjykata e OKB-së e shpalli Mladiqin, ish-gjeneralin serb të Bosnjës, fajtor për krime lufte në Bosnjë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.
“Ujqit e Drinës” ishte një njësi ushtarake e ushtrisë së Republikës Srpska, e cila mori pjesë në vrasje masive të boshnjakëve të Srebrenicës, që më vonë u cilësua si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Gjatë një vizite së fundmi në Bosnjë, Gjokoviqi u pa duke kënduar në një dasmë bashkë me anëtarin serb të presidencës së Bosnjës, Molorad Dodik, i cili është i njohur si mohues i gjenocidit dhe i cili vazhdimisht bën fushatë për ndarjen entitetit të Bosnjës të udhëhequr nga serbët, Republika Srpska, nga Bosnja.
Eksperti politik Jasmin Mujanoci shkroi në Twitter se Gjokoviq me gjasë nuk do ta humbë as një sponsor për shkak të lidhjeve me figurat kontroverse.