Janë mbyllur pak minuta më parë ndeshjet e dyta çerekfinale të luajtura sot në grand slam të Australian Open, duke përcaktuar gjysmëfinalistët e parë.
Tenisti italian Matteo Berrettini siguroi një biletë për në gjysmëfinale pas fitores 3-2 ndaj francezit Gael Monfils.
Italiani fitoi 6-4, 6-4 dy setet e para, por më pas erdhi rikuperimi i Monfils, që fitoi 6-3, 6-3 dy setet e tjera. Në setin final dominim total i Berrettini, që fitoi 6-2 dhe kualifikohet në gjysmëfinale, ku do të luajë ndaj Rafael Nadal.
Në çerekfinalen e dytë për femra të luajtur sot, numri 1 në botë, tenistja australiane Ashleigh Barty, fitoi 2-0 (6-2, 6-0) ndaj amerikanes Jessica Pegula, një ndeshje që zgjati vetëm 63 minuta.
Një dominim total i Barty, që në gjysmëfinale do të përballet me një tjetër amerikane Madison Keys, e kualifikuar më herët (2-0 ndaj Barbora Krejcikova).