Roger Federeri e ka uruar Rafael Nadalin në mënyrën më të këndshme të mundshme për fitimin e titullit të 21-të rekord në karrierë pas triumfit në një finale epike kundër Daniil Medvedevit në Australian Open, duke thënë se një kampion si spanjolli nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë.
Nadal, numër 6 në botë, u rikthye nga 0:2 në sete për të fituar 3:2, 2-6 6-7 (5-7) 6-4 6-4 7-5, në mënyrën më epike të mundshme kundër numrit dy të botës nga Rusia, të dielën në Melbourne..
Medvedevi e kishte lojën në dorë duke mbizotëruar plotësisht në dy setet e para, para se Nadal ta shfaqte shpirtin e madh luftarak për tejkaluar atë në pesë sete.
Nadali nuk ishte i sigurt nëse do të rikthehej më në fushën e tenisit, pas një lëndimi serioz në këmbë.
Triumfi i në Australian Open 2022 nënkupton se Nadali tani ka më shumë tituj grand slam se Federeri dhe se Novak Djokovic, të cilat i kanë nga 20 secili.
Federeri, i cili ka zhvilluar shumë finale kundër Nadalit në të kaluarën, foli me plot elegancë për rivalin e vet.
Në një postim në Instagram, Federeri shkroi: “Çfarë ndeshje! Mikut dhe rivalit tim të madh, Rafael Nadal, urime të përzemërta që u bëre lojtari i parë që i fiton 21 tituj grand slam.”
“Para ca muajsh, ne po bënim shaka se si të dy ishim në paterica. E mahnitshme. Kurrë mos e nënvlerëso një kampion të madh. Etika e punës suaj të jashtëzakonshme, edukimi dhe shpirti luftarak janë frymëzim për mua dhe për shumë të tjerë nëpër botë”.
Zvicerani shtoi: “Unë jam krenar që e ndaj me juve këtë epokë dhe i nderuar që ju kam shyrë të arrini më shumë. Njëlloj siç keni bërë ju në 18 vitet e fundit. Jam i sigurt se do të arrini më shumë në të ardhmen, por tani për tani shijojeni këtë!”
Federeri, 40 vjeç, ende nuk e di sigurt se kur do të rikthehet në fushë, për shkak të lëndimit.
Ai shpreson se do t’ia dalë të rikthehet në kohë për grand slamin Wimbledon në qershor.