Tenisti 23-vjeçar argjentinas Francisco Cerundolo është arrestuar sot nga policia e Parisit. Ai u eliminua dy ditë më parë nga turneu grand slam i Roland Garros që në raundin e parë. Sipas policisë franceze, tenisti është arrestuar pas akuzave të një shoferi taksie, që e ka denoncuar.
Sipas shoferit, tenisti e ka goditur me shpullë teksa ka qenë në gjendje të dehur. Motivi?
Shoferi i ka thënë tenistit se nuk mund të hipnin në taksi, pasi ishin 5 persona dhe makina e tij nuk kishte hapësirë.
Tenisti i ka ofruar më shumë parà, por shoferi sërish ka refuzuar t’i transportonte.
Ka patur momente tensioni dhe në mes të sherrit, tenisti ka goditur me shpullë shoferin e taksisë, 61 vjeç. Pak minuta pas ngjarjes, ai ka denoncuar tenistin. “Ata kishin pirë dhe më pas u bë shumë agresiv”, ka thënë shoferi për policinë.
Kjo nuk është hera e parë që Cerundolo ka telashe të tilla me policinë. Më herët, ai është arrestuar bashkë me një mikun e tij, pasi kishin shkatuar një sherr në një hotel.