Një ndeshje tenisi në të cilën merr pjesë Nick Kyrgios nuk mund të përfundojë normalisht. Australianin duket se e ndjekin të gjitha situatat e sikletshme teksa në sfidën e fundit ndaj amerikanit Tommy Paul të vlefshme për Citi Open, topi i goditur nga Kyrgios përfundoi në fytyrën e një të moshuare e cila qëndronte në linjën e parë të spektatorëve pas vijës fundore të fushës.
Menjëherë, Tommy Paul u interesua për shëndetin e të moshuarës, ndërsa nuk vonoi edhe interesi i Kyrgios që u afrua pranë spektatores dhe i ofroi asaj peshqirin e tij si një dhuratë për të kujtuar këtë episod që për fat nuk rezultoi i rrezikshëm për shëndetin e zonjës.
Mirëpo, e moshuara nuk e mori në konsideratë gjestin e atij që konsiderohet si “The Bad Boy” i tenisit teksa menjëherë u kthye nga personi që kishte pranë duke i thënë se për çfarë i duhet asaj peshqiri i Kyrgios.
Gjithsesi, australiani kërkoi falje në mënyrën e tij dhe mbetet një veprim për t’u përshëndetur teksa 27-vjeçari në fund fitoi edhe sfidën me Paul falë triumfit në dy sete, 6-3, 6-4 duke avancuar për në raundin e 16 më të mirëve të turneut, ku do të përballet me një tjetër amerikan, Reilly Opelka që falë 211 cm të tij është edhe lojtari më i gjatë në ATP Tour dhe ka një shërbim të frikshëm.