Menaxheri i Arlinda Rushitit, Kadri Bajrami, shpreh fjalë miradije për tenisten në fjalë.
Bajrami thotë se Arlinda është shumë afër garave të mëdha, si Grand Slam etj. por i duhen edhe 50 pikë.
Tenistja nga Kosova, punon pareshtur në akademinë e tenisit në Cannes të Francës.

Sipas Bajramit, 23-vjeçarja me pak fat do të jetë në garat e nivelit më të lartë, do të bëhet shqiptarja e parë nga Kosova në nivelin e këtyre garave.
“Të ardhmen e saj e shoh në garat e Grand Slam-it.

Besoj sivjet dhe me pak fat do të arrijë aty. I duhen edhe 50 pikë”, thotë Bajrami për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Arlinda po merr pjesë në turneun Tunizia Masters.
“Momentalisht është në turneun ‘Tunisia Masters’. Mund të ndodh që në javën e ardhshme të sigurojë pikët e mjaftueshme dhe të behet shqiptarja e parë që do të luajë në Grand Slam.

Gara në Tunizi është me vlerë 40 mijë dollarësh, ndërsa aty merr pjesë edhe tenistja që renditet e 120-ta në botë dhe shumë të tjera që garojnë në Grand Slam.
Arlinda është 23-vjeçare dhe shumë afër që të garojë në nivelin më të lartë. Është e stacionuar në Cannes në Francë. Aty vazhdimisht punon profesionalisht, me terapi, ka psikologun edhe me trajnerë shkon në turne të ndryshëm”, ka thënë me tej.
Cilat janë përshtypjet e ekspertëve për Arlindën?
“Përshtypjet janë shumë serioze. Arlinda është disiplinuar dhe presin që në një të ardhme të jetë në top 50-shin më të mirë në botë.
Ajo bën punë të palodhshme me reketin e saj dhe krejt i marrin lakmi. Nuk është lehtë si vajzë me udhëtuar në gjithë botën. Jam shumë krenare me të.
Tri vjet ka luajt për Kosovën dhe me gjasë prapë do të vazhdojë”, përfundon Bajrami.
Arlinda aktualisht renditet në vend të 354 në ranglistën botërore.