Rafael Nadal u rikthye me dëshirë në Grand Slam-in e parë për vitin 2023, Australian Open.
Tenisti spanjoll është ende kampioni në fuqi i këtij turneu dhe dëshira për të mbrojtur titullin ishte e madhe.
Por një dëmtim në hije në raundin e dytë të turneut, detyroi Nadal të dorëzohej ndërsa tashmë zërat për një tërheqje të mundshme nga tenisi bëhen edhe më të zhurmshëm.
I fundit që beson se ditët e Nadal kanë mbaruar është legjenda e tenisit, Boris Becker.
Gjermani theksoi se Rafa mund të bëhet president i Spanjës nëse do, por dëmtimet në moshën e tij marrin shumë kohë për t’u rikuperuar dhe është e vështirë të rikthehet në formë.
“Prej kohësh flasim për ndryshimin e gjeneratave në tenis, më pas Nadal ia doli të fitonte vitin e kaluar në Australian Open dhe Roland Garros.
Pyetja ishte; A mund të luaj ai deri në moshën 40-vjeçare? Unë nuk e mendoj këtë, dëmtimi i fundit e afron edhe më shumë me kohën e tërheqjes nga sporti.
Një dëmtim i tillë është i vështirë për t’u rikuperuar për shkak të moshës.
Unë shpresoj shumë që ai t’ia dalë dhe të jetë në formë për turneun e Parisit, madje nëse do të ishte në formë, për mua mbetet favoriti për ta fituar atë. Por, sinqerisht mendoj se ditët e Nadal në tenis janë të numëruara.
Rafa mund të bëhet president i Spanjës nëse do, por edhe ai nuk mund t’i shpëtoj moshës”, u shpreh Becker.