Rafael Nadal nuk luan një ndeshje tenisi prej raundit të dytë të Australian Open aty ku në sfidën me amerikanin Mackenzie McDonald pësoi një dëmtim muskulor në këmbën e majtë.
Tenisti nga Mallorca vijon me fazën e rikuperimit ndërsa së fundmi flitej për një rikthim të 22-herë fituesit të titujve Grand Slam në turneun e Monte Carlos që do të zhvillohet nga data 8 deri më 16 prill.
Ky turne çel sezonin e ndeshjeve në fushat me dhé, terreni i preferuar nga Nadal. Mirëpo, së fundmi 36-vjeçari ul euforinë e tifozëve duke u shprehur për spanjollen “Marca” se nuk do të marrë pjesë në Monte Carlo dhe se ende nuk mund të flasë për një datë të sigurt rikthimi.
Kjo është e vërteta.
Jam në një fazë ku e kam rritur punën në stërvitje, por nuk jam gati për ndeshje.
Nëse do ta dija me siguri kohën e rikthimit do të flisja, por unë nuk mund të konfirmoj asgjë në këtë moment.
Nuk e konfirmoj pjesëmarrjen në Monte Carlo, duhet t’i marr etapat me rradhë. Dhe, preferoj të flas vetëm kur ka diçka të sigurt”, u shpreh Rafa.
Synimi i vërtetë i Nadal është rikuperimi në kohë për turneun kryesor të fushave me dhé, Roland Garros që zhvillohet në Paris në fundin e muajit maj. Kujtojmë se spanjolli është rekordmeni absolut i këtij turneu me 14 tituj të fituar.