Carlos Alcaraz ia doli të kualifikohej pa shumë telashe në raundin e 1/8-tave të Roland Garros teksa mposhti në tre sete, Sebastian Korda.
Në një ndeshje që zgjati për më tepër se dy orë e gjysmë, spanjolli fitoi me shifrat 4-6, 6-7 dhe 3-6, teksa pas takimit me amerikanin, Alcaraz u shpreh se ndjehet mirë dhe se po përmirësohet ndeshje pas ndeshje.
“Ndjehem shkëlqyeshëm, është një ndjesi shumë e bukur të luash në këtë fushë.
Kam kujtime të bukura në Philippe-Chatrier, kam zhvilluar disa ndeshje të rëndësishme në këtë ambient.
Po përmirësohem ndeshje pas ndeshje, çdo ditë është më mirë. Jam i lumtur që do të vijoj të luaj në Paris, shpresoj të vazhdoj deri në fund”, u shpreh Alcaraz.
Në raundin e 1/8-tave, spanjolli do të përballet me fituesin e çiftit Ben Shelton-Felix Auger-Aliassime.