Ditën e hënë do të nisë grand slam i US Open në tenis, që këtë vit do të jetë një shifër rekord premiosh për tenistët. Usta (Federata Amerikane e Tenisit) ka konfirmuar një premio prej rreth 75 milionë dollarësh.
Kjo është një shifër rekord, pasi është shuma më e madhe ofruar ndonjëherë në historinë e këtij sporti për tenistët. Për krahasim, këtë vit, grand slam i Wimbledon, ofronte pak më shumë se 64 milionë dollarë.
Shifrat janë mbresëlënëse: Fituesi i turneut do të marrë 3.6 milionë dollarë, një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2023. Kushdo që arrin në finale do të shpërblehet me 1.8 milionë dollarë, ndërsa gjysmëfinalistët me nga një milionë.
Kush eliminohet në raundin e parë do të marrë një çek prej 100 mijë dollarësh, +23% krahasuar me vitin e kaluar. Jo vetëm kaq: Usta u ofron të gjithë lojtarëve 1000 dollarë për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe dy dhoma në hotelet zyrtare të turneut.
“Kjo është e gjitha pjesë e një përpjekjeje të bashkërenduar në vitet e fundit nga US Open për të siguruar fitime të rëndësishme për të gjithë lojtarët që konkurrojnë në këtë ngjarje“, u shprehën organizatorët e turneut.