Tenisti spanjoll nuk arriti të tregojë nivelin e tij ndaj kundërshtarit holandez
Eliminim i papritur për Carlos Alcaraz në US Open. Tenisti spanjoll u mund 3-0 nga holandezi Zandshup, numri 74 në botë. Alcaraz u shfaq mjaft i dëshpëruar pas humbjes duke treguar se nuk ishte aspak mirë nga ana emocionale. Ai premtoi se do të fillojë të mësojë se si të menaxhojë këto lloj situatash.
Karlos Alcaraz në kolaps. Një disfatë shumë e rëndë vjen për numrin 3 të botës në US Open. Veçanërisht për mënyrën se si luajti tenisti spanjoll, i cili nuk arriti kurrë të bënte lojën e tij dhe të arrinte të shqetësonte holandezin. E ky i fundit, për hir të së vërtetës shfrytëzoi mundësinë e jetës, duke përfituar nga ajo paraqitje e tmerrshme e Alcarazit.
Një fitore e pastër 3-0 e holandezit, që fitoi me lehtësi setin e parë 6-1. Në të dytin u krijua një aluzion reagimi nga ana e spanjollit por pa mundur të fitojë dhe 7-5 për Zandschulp. Edhe në setin e tretë Alcaraz përpiqet dëshpërimisht të rikthehet, por dorëzohet në 6-4. Pas më shumë se dy orësh lojë spanjolli numri 3 në botë detyrohet të pranojë humbjen dhe të largohet nga US Open.
Alcaraz, i cili bëri ndoshta ndeshjen më të dobët në karrierën e tij në fushën e vështirë amerikane, duke i lënë të gjithë të tronditur nga rezultati përfundimtar, tregoi arsyet e kësaj humbje të papritur. “Nuk di çfarë të them. Zandshulp luajti shkëlqyeshëm, nuk gaboi dhe kjo më hutoi”.
“Nuk dija si ta trajtoja, nuk po godisja mirë topin, nuk arrita të ngrija nivelin tim, pasi ai nuk më dha asnjë shans. Erdha këtu pa gjithë energjinë që mendoja se kisha, por këtë nuk dua ta përdor si justifikim. Gjatë ndeshjes u përpoqa të luftoja edhe kundër vetes, kundër mendjes sime, jo vetëm kundër kundërshtarit tim. Isha shumë i turbullt mendërisht. Por do të mësoj të menaxhoj këto lloj situatash”.