Në Arabi nis turneu ku luajnë më të mirët në botë, ja detajet

Tenis

Në Arabi nis turneu ku luajnë më të mirët në botë, ja detajet

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Ditën e mërkurë (16 tetor) do të nisë në Riad të Arabisë Saudite turneu “show” i tenisit “Six Kings Slam”. Kjo është hera e parë që zhvillohet një aktivitet i tillë.

Bëhet fjalë për një event ku do të luajnë vetëm 6 tenistë për meshkuj, më të mirët në botë dhe që nuk jep pikë në renditje. Gjithsesi, ai u ofron pjesëmarrësve një shfaqje unike në botë dhe mbi të gjitha një premio të jashtëzakonshme.

Fituesi do të arkëtojë 6 milionë dollarë, ndërkohë që vetëm për të marrë pjesë, gjashtë pjesëmarrësit kanë siguruar tashmë 1,5 milionë dollarë secili. Për këta tenistë nuk ka shumë rëndësi nëse nuk marrin pjesë në turnetë zyrtarë ATP dhe humbasin pikë, pasi këtu kanë miliona për të arkëtuar.

Në këtë turne, prestigji apo mundësia për të parakaluar kundërshtarin në renditje nuk ka rëndësi. Sipas organizatorëve, ajo që ka rëndësi është të argëtohen tifozët e tenisit, duke pasur në dispozicion një buxhet milioner që garanton spektaklin.

Rregullat janë shkruar nga organizatorët të cilët kanë vendosur që Novak Djokovic dhe Rafael Nadal, të konsideruar ndër talentet më të mirë të dy dekadave të fundit, të kualifikohen direkt në gjysmëfinale. Dy gjysmëfinalistët e tjerë do të dalin nga dy ndeshje eliminatore.

Ata që do të duhet të djersiten në këto eliminatore janë Jannik Sinner, që do të sfidojë Daniil Medvedev dhe Carlos Alcaraz, që do të përballet me Holger Rune. Fituesi i sfidës Sinner/Medvedev do të luajë ndaj Djokovic dhe ai i sfidës Alcaraz-Rune do të përballet me Nadal.

Eliminatore

D.Medvedev-J.Sinner

C.Alcaraz-H.Rune

Gjysmëfinale

N.Djokovic-Medvedev/Sinner

R.Nadal-Alcaraz/Rune

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat