Si çdo vit, edhe kësaj here sporti i tenisit ishte i mbushur përplot emocione, dramë e shumëçka tjetër përgjatë katër turneve më të mëdha, që të sigurojnë një titull “Grand Slam”.
Dy teniserët e rinj, Carlo Alcaraz e Jannik Sinner e dominuan këtë vit në tenis, duke lënë mbrapa “gardën e vjetër”.
Viti 2024 nisi më mirë për teniserin italian, Jannik Sinner, i cili triumfoi në “Australian Open”, me turneun që u luajt nga 7 janari deri më 28 janar.
23-vjeçari e mposhti në finale Daniil Medvedev, duke triumfuar 3-2 me sete, me një rikthim të çmendur.
26 maji i 2024-ës solli garën “French Open” që mbahet në “Stade Roland Garros” në kryeqytetin e Francës, Paris.
Edicioni i sivjetëm ishte i 123-ti në histori, derisa titullin e fitoi spanjolli i ri me shumë potencial, Carlos Alcaraz.
Alcarazi luajti në finalen e 9 qershorit ndaj Alexander Zverevi 3-2 me sete, duke u rikthyer nga 1-2.
Ky ishte titulli i parë i vitit për spanjollin 21-vjeçar, por jo edhe i fundit, pasi ai e vazhdoi me sukses edhe në turneun e radhës.
Në “Wimbledon”, teniseri i ri arriti të fitojë titullin e radhës “Grand Slam”, derisa kësaj here pati punë me një teniser të “gardës së vjetër”.
Alcarazi në fakt e shkatërroi teniserin serb, Djokovic, duke e mposhtur 3-0 me sete, me finalen e mbajtur më 14 korrik.
Edicioni i 144-të i “US Open” u mbajt nga data 19 gusht deri më 9 shtator të 2024-ës.
Fitues i këtij edicioni në konkurrencën e meshkujve doli italiani Jannik Sinner, i cili e mbylli vitin, ashtu siç e nisi, me sukses të madh.
Sinner e mposhti në finalen e madhe të turneut që mbahet në SHBA, teniserin amerikan Taylor Fritz, duke e ‘shkatërruar’ 3-0 me sete.
21-vjeçari, Carlos Alcaraz e mbyll vitin 2024 me katër “Grand Slams” të fituar në karrierën e tij, derisa kolegu i tij, Jannik Sinner ka të fituar dy sosh.
Sinner po ashtu e mbyll vitin që po lëmë pas në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë i pari në ranglistën e Federatës së Tenisit Profesional me 11 mijë e 830 pikë.