Momente paniku në Dubai për tenisten britanike Ema Radukanu, e cila ka qenë në shënjestrën e një burri, që ka treguar sjellje obsesive ndaj saj. Individi, informojnë organizatorët, është përjashtuar nga turneu dhe do të ndalohet nga të gjitha turnetë WTA në pritje të një vlerësimi të kërcënimit.
Gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Karolina Muçova, të cilën Radukanu e humbi më vonë, fituesja e “US Open 2021” iu afrua arbitrit dhe tregoi nga tifozët.
Më pas, ajo u fsheh pas kullës së gjyqtarit dhe u kthye në fushë duke fshirë lotët. Shkak ka qenë prania në rreshtat e parë të një personi, i cili më vonë mësohet se i ishte afruar edhe në një ambient publik të hënën e kaluar. Personi ka shfaqur sjellje obsesive ndaj tenistes 22-vjeçare.
WTA tha në deklaratën e saj se “po punon në mënyrë aktive me Radukanu dhe ekipin e saj për të siguruar mirëqenien e saj dhe për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme“.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar me turnetë dhe ekipet e tyre të sigurisë në të gjithë botën për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë lojtarët“, komentoi WTA në një deklaratë.
Kjo nuk është hera e parë që Emma Radukanu kalon një situatë të tillë. Në vitin 2022, një gjykatë në Londër lëshoi një urdhër ndalimi 5-vjeçar kundër një njeriu që kishte përndjekur tenisten britanike.