Rrugët në Tetovë, përplasje mes Komunës dhe SPB-së

Tetova

Rrugët në Tetovë, përplasje mes Komunës dhe SPB-së

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Kanë kaluar tashmë dy muaj që kur duhej të fillonin punimet për rregullimin e rrugës së njohur si “Rruga e Butiqeve” në Tetovë, të cilës përmes projektit ndërkufitar bashkë me komunën e Prizrenit, duhet ti kthehet pamja e vjetër. Shkak për vonesën sipas komunës së Tetovës është Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, të cilët nuk kanë dhënë lejen për kahëzimin e rrugës me qëllim të nisjes së punimeve. Kreu i këshillit komunal Besar Durmishi thotë se, policia e Tetovës duhet të mbaj përgjegjësi për dëmet e shkaktuara me mos nisjen e këtij projekti.

Si komunë kemi dërguar kërkesë në institucionet relevante për të marrë lejet për nisje të punimeve në rrugën e butiqeve, por edhe në SPB Tetovë, por vonesa e shkaktuar është nga SPB e Tetovës nga ku për gati dy muaj nuk kanë dhënë leje dhe është vonuar procesi i nisjes së punimeve në rrugën e butiqeve. Normal që ky projekt do ketë penale për arsyen e vonesës por mbetet që kur të nisin punimet të qëndrojnë afër kompanisë që të përfundojnë punët në këtë rrugë. Ka pasur edhe shumë raste të tjera kur kemi pasur sabotime nga SPB Tetovë me ç’rast na kanë vonuar gjithnjë përgjigjet dhe në fund janë kthyer negative”, tha Besar Durmishi, Komuna e Tetovës.

Nga policia e Tetovës kanë hedh poshtë këto pohime të komunës së Tetovës, duke u arsyetuar se, kërkesat paraprake nuk kanë qenë të kompletuara.

Sa i përket kërkesës që komuna e ka dorëzuar në SPB Tetovë ditën e hënë, në SPB është shqyrtuar kërkesa dhe është ardhur në përfundim se gjitha lëshimet që ishin në kërkesën e parë e cila u anulua, gjitha kërkesat e plan-projektit janë plotësuar dhe në afat sa më të shkurtër kohor do jepet edhe pëlqimi lidhur me ndërtimin e kësaj rruge”, tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës në SPB Tetovë.

Rruga e Butiqeve është një projekt ndërkufitar që realizohet nga Komuna e Tetovës dhe ajo e Prizrenit, ndërsa mjetet për këtë projekt janë të siguruara nga fondet IPA. Projekti ngërthen në vete rindërtimin e rrugës me kalldrëme, vendosja e ndriçimit si dhe ulëset në rrugë. Ndërsa në fazën e dytë të këtij projekti, sipas paralajmërimeve të komunës, do të bisedohet me pronarët e lokaleve për kthimin e edhe pamjes së vjetër të lokaleve, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik në Tetovë me pamjen e vjetër autentike të kësaj rruge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat