Ndërmarrja Komunale Tetovë mohon se punëtorët e tyre kanë kërkuar nga 100 euro për transportin e frigoriferit në një deponi të caktuar. Informacioni u publikua në media disa ditë më herët.
“Ky informacion nuk është i saktë, por disa përpiqen të barazojnë punën e kësaj ndërmarrjeje, e cila me përkushtimin e saj merret me punën e përditshme dhe përmirësimin e pastërtisë në qytet. Në anën tjetër, NPK vazhdimisht u bën thirrje qytetarëve që kanë mbeturina inerte që t’i drejtohen NPK Tetovë, e cila më pas do t’i transportojë për një shumë simbolike prej 1.000 denarë.
Po ashtu, kërkojmë nga të gjithë qytetarët, nëse u kërkohen më shumë para, rastin ta denoncojnë në QPS dhe në komunën e Tetovës. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që puna e NPK-së dhe e Komunës të barazohet me persona të paskrupullt që shpifin pa fakte dhe argumente”, thuhet në njoftimin e NPK Tetovë.
Kohët e fundit Ndërmarrja Komunale e Tetovës filloi të ofrojë shërbime, grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave inerte si mbeturinat e ndërtimit, mobiliet e vjetra etj.
Mbeturinat inerte deri më tani përfundonin në toka publike, duke ndotur natyrën, veçanërisht lumenjtë në Pollogut, ku qytetarët zakonisht i hidhnin mbeturinat e tyre.