Djegia e modularit në Tetovë – familjarët presin epilog, prokuroria heshtë

Tetova

Djegia e modularit në Tetovë – familjarët presin epilog, prokuroria heshtë

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ende nuk ka ndërmarrë hapa konkret për hetimin e dytë në lidhje me djegien e Spitalit Modular në Tetovë, në të cilin humbën jetën 14 persona.

Derisa, familjarët e viktimave, por edhe qytetarët presin tanimë tre vjet e gjysmë drejtësi dhe nxjerrjen e fajtorëve para ligjit në lidhje me rastin tragjik, Prokuroria hesht dhe nuk jep informata se në çfarë faze është hetimi.

Hetimi, i cili udhëhiqet nga prokurorja Elizabeta Josifovska duhet të japë përgjigje nëse ka pasur keqpërdorime në dokumentacionin tenderial për spitalin modular, i cili natën e 8 shtatorit të vitit 2021 u dogj vetëm për disa minuta.

Në ndërkohë, procesi gjyqësor kundër ish drejtorëve të Spitalit pret të rifillojë nga e para në shtator pasi për shkak të paqartësisë së aktgjykimit, Apeli e riktheu në rigjykim. Nga fajësia është liruar mjeku, Boban Vuçevski i cili natën e kobshme ka qenë kujdestar.

Spitali, sipas Prokurorisë, nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërkaq brenda infektivit janë futur edhe familjarë të pacientëve, pavarësisht rekomandimeve rigoroze mjekësore për parandalimin e kovidit.

Për rastin janë mbajtur disa herë protesta, ndërkaq familjarët e kanë përshëndetur rikthimin e gjykimit nga e para dhe presin që të ketë drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat