Mbi 2500 dënime për parkim të paligjshëm në Tetovë

Tetova

Mbi 2500 dënime për parkim të paligjshëm në Tetovë

Më: 4 korrik 2024 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Me fillimin e sezonit veror, kohë kjo kur në vendlindje kthehen mërgimtarët më në vështirësi janë pjesëtarët e policisë së Tetovës, të cilët duhet që të kujdesen për mbarëvajtjen e komunikacionit kur ka numër enorm të automjeteve në rrugët e Tetovës.

Nga policia e Tetovës thonë se me fillimin e korrikut, në rajonin e gjerë të Pollogut, zonë që administrativisht mbulohet nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, vërehet intensiteti në rritje i kthimit të mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe në fillim të muajin e ardhshëm pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë.

Zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi thotë se për këtë arsye rregullisht ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e intensifikuara për të mundësuar qarkullim normal dhe të qetë nëpër zonat qendrore të qyteteve Tetovë dhe Gostivar, e veçanërisht në drejtim të parandalimit dhe sanksionimit të parkimeve të gabuara dhe të paligjshme të automjeteve.

“Në bashkëpunim me pushtetin vendor, tashmë janë hapur oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme në zonat qendrore të qyteteve për të mundësuar parkimin e automjeteve dhe për të shmangur parkimet e dyfishta, pra paralele, si dhe parkimet në kryqëzime, në trotuare, vendkalime për këmbësorët dhe të ngjashme. Automjetet që pengojnë rrjedhën normale të qarkullimit do të merren nga shërbimet komunale ‘merimangë’, ku do të ketë aktivitete të intensifikuara dhe me orar më të gjatë pune”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.

Ndërkohë, vazhdon “beteja” me parkimin e paligjshëm në Tetovë. Vetëm për gjashtë muaj, janë shqiptuar mbi 2500 dënime për shkak se vozitësit janë parkuar gabimisht dhe në zona të ndaluara, thonë nga policia e Tetovës.

“Mbi 2500 masa janë vendosur në gjashtë muajt e fundit për parkimin e paligjshëm dhe të gabuar të automjeteve dhe me shërbimin merimangë janë kapur mbi 1000 automjete që kanë penguar drejtpërdrejt qarkullimin normal, ndërsa janë lëshuar urdhërpagesa përkatëse për shkelësit dhe do të përballen me gjoba të parashikuara në ligj”, thotë zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Më tej nga SPB-Tetovë sqarojnë se për shkak të mërgimtarëve të ardhur dhe frekuencës dukshëm të rritur të trafikut, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe bllokimin e trafikut, të jenë të vetëdijshëm, të mos parkojnë automjetet ku do të arrijnë dhe të kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat