Aksion për largimin e veturave të vjetra nga rrugët dhe trotuaret

Tetova

Aksion për largimin e veturave të vjetra nga rrugët dhe trotuaret

Më: 5 korrik 2024 Në ora: 18:39
Foto ilustrim

Me dhjetëra vetura të papërdorshme, në gjendje të amortizuar dhe që janë lënë në rrugë ose trotuare vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në territorin e qytetit të Tetovës. Këta vetura, pjesa më e madhe e tyre janë të shkatërruara nuk largohen nga pronarët e vërtetë dhe ende mund të hasen në pjesë të ndryshme të Tetovës, duke dëmtuar edhe hapësirat publike.

Janë rreth 20 vetura të cilët nuk përdoren nga pronarët por që janë detektuar nga autoritetet e komunës së Tetovës në rrugët kryesore të qytetit, rrugët dytësore, parqe dhe vende periferike. Së këndejmi, komuna e Tetovës apelon që pronarët e automjeteve të dëmtuara, të cilat për një kohë të gjatë janë të parkuara në vende publike, duke uzurpuar hapësirën dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, t’i largojnë sa më shpejt.

Inspektorati tashmë ka lëshuar njoftime për automjetet e dëmtuara në të gjithë qytetin. Kërkojmë bashkëpunim në të mirë të të gjithë qytetarëve sepse përndryshe Inspektorati do të vazhdojë me marrjen e automjeteve, theksuan nga komuna e Tetovës.

“Komuna e Tetovës gati se çdo vit, gjatë kësaj periudhe organizon aksione për largimin e këtyre vetura. Fillimisht i paralajmërojnë pronarët e automjeteve dhe u jepet një afat i caktuar që ata vet të largojnë të njëjtat. Nëse brenda afatit të caktuar nuk largohen ato automjete që janë të papërdorshme, atëherë përmes inspektoratit i largojmë prej vendeve publike. Kjo, realizohet sepse hapësirat janë prona të qytetarëve dhe qytetarët kanë të drejtë që të lëvizin lirë dhe pa pengesa”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se ky aksion do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim që të gjitha këta automjete të largohen nga vendet ku qëndrojnë me vite të tëra dhe nuk largohen ose mirëmbahen nga pronarët. Ende nuk dihen arsyet se pse një pjesë e pronarëve të këtyre veturave vendosin që të njëjtat t’i lënë në këto pjesë të qytetit dhe nuk i dërgojnë në vende adekuate sidomos aty ku shiten pjesë të vjetra për vetura.

Aksione të këtilla janë duke u realizuar çdo vit në Tetovë dhe çdo herë janë me dhjetëra automjete që janë braktisur nga pronarët. Veturat e detektuara së fundmi janë hasur edhe nëpër hapësirat publike para ndërtesave dhe në vend se këta oborre të përdoren për hapësira për gjelbërim ose këndë për lojëra për fëmijë, janë të uzurpuara me vetura të vjetra. Kryesisht këta automjete janë të markave të vjetra, Jugo, Zastava, Llada, Golf 1, e kështu me radhë, të cilët krahas pengesës së lëvizjes së lirë, japin edhe një imazh të keq vet qytetit të Tetovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat