Policia e Tetovës: Mos ndizni zjarre në prona bujqësore

Tetova

Policia e Tetovës: Mos ndizni zjarre në prona bujqësore

Më: 9 korrik 2024 Në ora: 21:00
Tetovë

Rritja e temperaturave në mbarë vendin ka shtuar rrezikun për përhapje të vatrave të zjarrit. Më në rrezik janë pyjet dhe fushat ku ka lëvizje më të madhe të qytetarëve. Kjo ka bërë që të vihen në alarm institucionet. Kësisoj, me rritjen enorme të temperaturave të cilat tash po mbizotërojnë në vendin tonë, në masë të madhe janë rritur edhe rreziqet potenciale për përhapjen e mundshme të zjarreve edhe në rajonin e Pollogut kjo më së shumti për arsye se ky rajon posedon një vegjetacion të bujshëm dhe për këtë arsye nevojitet zgjuarsi maksimale dhe sjellje të përgjegjshme të secilit individ.

“Sektori i punëve të brendshme Tetovë, apelon qytetarët që të jenë syçelë dhe maksimalisht të kujdesshëm, nëse lëvizin dhe punojnë nëpër fushat e tyre apo nëpër pyje, të mos i djegin mbeturinat, megjet dhe kashtat nëpër arat e tyre dhe të mos hedhin djegurina të pa fikura mirë dhe cigare të ndezur”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Poashtu u apelohet qytetarëve që gjatë daljeve në natyrë të mos ndezin zjarre dhe nëse kanë ndezur të sigurohen se të njëjtin e kanë shuar mirë.

“Krahas kësaj, ata të cilët gjatë fundjavës do të qëndrojnë në vende për piknik, paralajmërohen që të mos ndezin zjarre, të cilat në situata kur nuk shuhen mirë, shumë shpejtë mund të rindizen dhe përhapen përreth dhe me këtë të shkaktojnë pasoja të ndryshme të pakthyeshme dhe rënda materiale. Këshillohen që në vende të hapura të mos lënë shishe prej qelqi apo lëndë tjera, të cilat gjatë qëndrimit më të gjatë në diell, mundë të shkaktojnë zjarre”, thotë Rexhepi.

Nga policia rikujtojnë se qytetarët në të kundërtën nëse me apo pa dashje ose nga pakujdesia shkaktohet zjarr, do të ballafaqohen me sanksione rigoroze ligjore, gjegjësisht parashtresa, të cilat në instanca përfundimtare parashihen edhe dënime me burg prej 6 muaj deri 8 vjet, varësisht nga lloji i zjarrit, pasojat dhe rrethanat tjera.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, thonë se janë duke ndërmarr masa të ndryshme dhe të koordinuara preventive, që në kohë të detektohen shkaktarët e mundshëm të zjarreve, kurse do të përforcohen aktivitetet e planifikuara kontrolluese në rajonin më të gjerë. Ndryshe, sipas evidencës së njësisë së zjarrfikësve vetëm brenda gjashtë muajve në territorin e komunës së Tetovës dhe komunave rurale janë evidentuar mbi 400 zjarre. Ky numër është shumë i madh krahasuar me vitet e kaluara, pasi që brenda vitit zakonisht ka pasur rreth 500 zjarre, kurse tani vetëm për gjashtë muaj janë regjistruar mbi 400. Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se problem janë ndezja e deponive dhe pronave bujqësore, të cilët sipas tij janë të qëllimshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat