Kasami: Do të vazhdojnë punimet për ndërtimin e Korridorit 8 dhe rrugës Shkup-Bllacë

Tetova

Kasami: Do të vazhdojnë punimet për ndërtimin e Korridorit 8 dhe rrugës Shkup-Bllacë

Më: 10 korrik 2024 Në ora: 13:03
Bilall Kasami

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami premtoi se në mandatin e parë të qeverisë VLEN dhe OBRM-PDUKM-së, do të përfundojë autostrada Shkup-Bllacë dhe paralajmëroi vazhdimin e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8.

“Edhe këta projekte, edhe projektet që realizuam në Tetovë, ne do t’i realizojmë, për dallim nga BDI, e cila i nisi dhe kurrë nuk e kishte idenë për t’i realizuar, ashtu siç ndodhi me rrugën Shkup-Bllacë, që 20 vite BDI e premtoi dhe 20 vite nuk e realizoi, që ne garantojmë që shqiptarët së paku në mandatin e parë kjo rrugë do të jetë realitet”, theksoi Kasami në “Daily Click” në “TV21”.

Kasami foli edhe për ndërtimin e korridorit 8 ku tha se bisedimet me kompaninë “Bechtel&Enka” po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se pret që të vazhdojë realizimi i Korridorit 8.

Kasami paralajmëroi se ministri aktual i Transporti, Aleksandar Nikollovski, dhe drejtori aktual i N.P. “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, do të japin informacione shtesë për këtë projekt, ndërkaq theksoi se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i N.P. “Rrugët Shtetërore” ndoshta do të duhet të japin përgjegjësi për veprimet në lidhje me këtë projekt.

“Edhe sa i përket Korridorit 8, ne garantojmë se gjitha bisedimet me Bechtel dhe Enka shkojnë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, që dinamika e realizimit të punëve në terren të jetë sipas marrëveshjes, sepse atë që e kemi thënë më herët, që kemi alarmuar opinionin, po e shohim tash dhe sigurisht që edhe drejtori edhe ministri do të dalin shpejtë me një raport edhe më të detajuar që aty BDI me në krye me Artan Grubin dhe drejtorin e ndërmarrjes kanë bërë vepra për të cilat ndoshta do të duhet të përgjigjen”, deklaroi Kasami.

Bilall Kasami ka bërë të ditur se është vendosur se kush me cilat drejtori do të udhëheq ku edhe përmendi disa emra që do të jenë në drejtori të caktuara.

“Në ELEM është përcaktuar zëvendësdrejtor Rexhep Asani, një kuadër i dëshmuar nga Kërçova, në kadastër do të jetë Ahmet Ziberi një kuadër po ashtu i dëshmuar që vjen nga komuna e Tearcës”, tha mes tjerash Kasami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat