Të miturit në timon, për një muaj 157 gjoba nga Policia e Tetovës

Tetova

Të miturit në timon, për një muaj 157 gjoba nga Policia e Tetovës

Më: 14 gusht 2024 Në ora: 15:49
Tetove

Fenomeni i drejtimit të automjetit pa patentë shoferi gjithnjë është në rritje në rajonin e Pollogut dhe jo vetëm. Sidomos gjatë periudhës së verës, kryesisht të miturit i hasim si vozitës të veturave dhe motoçikletave. Në shumë raste, këta të mitur automjetin e marrin pa dijeninë e prindërit, por ka raste kur me vetëdije të plotë prindërit u japin veturat fëmijëve të tyre.

Kësisoj, gjatë muajit korrik, pjesëtarët e policisë së Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë kanë shqiptuar 157 gjoba ose pesë deri në gjashtë gjoba brenda një dite. Këto dënime janë për shkak se në timon janë hasur persona pa patentë shoferi, kryesisht të mitur. Në këto dënime janë përfshirë edhe pronarët e automjeteve.

“Shpeshherë kemi raste kur kemi të bëjmë me persona të tillë që janë pjesëmarrës në komunikacion dhe në aksident trafiku me pasoja të rënda. Ne si SPB-Tetovë bëjmë gjithçka në këtë drejtim, pjesëtarët e policisë marrin masa adekuate dhe apeloj tek qytetarët, kryesisht tek prindërit dhe pronarët e automjeteve, të kenë kujdes ku i lënë çelësat e automjeteve, të mos ua japin veturat me vetëdije fëmijëve që nuk kanë patentë shoferi, për arsye sepse dënime ka edhe për vet pronarin”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Por, jemi dëshmitarë se në rrugët regjionale por edhe në autostradë, hasim pika kontrolli nga ana e policisë. Mirëpo, këta kontrolle mungojnë edhe në vendbanime rurale, kryesisht në rrugë lokale. Policia arsyetohet se është shumë vështirë që nëpër vendbanime të vendosen pika kontrolli sepse rrezikohet siguria e tyre dhe e pjesëmarrësve në komunikacion, ngase në rast se personat që drejtojnë automjetet pa patentë shoferi, do të tentojnë të shmangin pikën e kontrollit dhe mund të shkaktojnë aksident trafiku.

“Për të vendosur një pikë kontrolli, policia duhet që të merr parasysh sigurinë e tyre, të trafikut dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Duke patur parasysh se nëpër vendbanime, kryesisht në fshatra ka lëvizje të shpeshta të fëmijëve, ka lëvizje të shpeshtë të këmbësorëve dhe komunikacioni është më i dendur, sepse të gjitha rrugët nuk janë me gjerësi të mjaftueshme, dhe ka raste kur personat pa patentë shoferi tentojnë të ikin, me shpejtësi të madhe për t`i ikur gjobës, rreziku për një këmbësorë tjetër është shumë I madh dhe mund të lëmë pasoja të madhe. Prandaj, pikat e kontrollit vendosen ku ka siguri për të gjithë”, tha Rexhepi.

Nga policia e Tetovës kanë njoftuar se masa tjera që ndërmerren janë edhe kontrollet dhe lëvizjet më të shpeshta nëpër vendbanime rurale, duke pamundësuar personave të mitur që pa patentë shoferi të jenë pjesë e komunikacionit. Prej atje thonë se lëvizjet në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha sepse ky fenomen është në rritje e sipër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat