Fabrika e djegur në Tetovë, një zjarrfikës u lëndua, pesë të tjerë u helmuan

Tetova

Fabrika e djegur në Tetovë, një zjarrfikës u lëndua, pesë të tjerë u helmuan

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 00:41
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme në Kamnjan të Tetovës një fabrikë e djathit u përfshi nga zjarri. Nga zjarri u shkaktua dëm i madh por edhe një zjarrfikës u lëndua e pesë të tjerë u helmuan. Komandanti i njësisë kundër zjarrit tha se zjarr ka akoma, pasi materiali që është aty nuk shuhet me ujë.

“Brigada e Tetovës erdhi në vendngjarje, por më pas bëmë thirrje edhe brigadës së Shkupit, që të na dalin në ndihmë dhe po ashtu edhe firma private thirrëm me pompa. Kemi nga kjo ngjarje një zjarrfikës të lënduar lehtë, dhe kemi edhe të helmuar nga tymi pesë zjarrfikës, që u drejtuan pastaj në urgjencën e Tetovës. Kjo që shihni pas neve, shuarja bëhet sepse brenda fabrikës ka një lëndë djegëse që kërkon më shumë kohë për tu shuar. Andaj pronari ka sjell një ekskavator për të heq teneqet për ta shuar zjarrin me ekskavator sepse ka një lëndë djegëse brenda fabrikës e cila nuk shuhet me ujë”, tha Avni Ameti – shef i NJTKZ Tetovë.

Në Pollog për një kohë të shkurtër janë djegur disa objekte. Ne gjatë ditës së sotme kërkuam mendim nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të parë pse kaq shumë objekte digjen dhe çfarë parasheh ligji.

“Subjektet juridike janë të detyruara të kenë aparatura, instalime, mjete dhe pajisje të përshtatshme për mbrojtjen nga zjarri, të cilat gjithashtu janë të detyruara të servisohen dhe testohen dhe mirëmbahen në gjendje të rregullt. Kategoritë e përmendura të subjekteve juridike janë të detyruara të kenë përgatitur dokumentet e duhura të përcaktuara sipas ligjit, që vlerësojnë rrezikshmërinë dhe planifikojnë mënyrën e ballafaqimit me fatkeqësitë e ndodhura”, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Në zjarrin e djeshme për ndihmë erdhën edhe zjarrfikës nga Shkupi e Gostivari, ndërsa ndihmë të madhe dhanë edhe kompanitë private. Pronari gjatë ditës së sotme nuk dha asnjë prononcim për zjarrin se sa është dëmi material, ndërsa nuk lejoi ekipet televizive që të xhirojnë nga afër fabrikën e djegur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat